Mësimi i kombinuar/ Kushi: Rreziku për infektim sipas ekspertëve është më i ulët

TIRANË, 1 dhjetor /ATSH – I. Vata/  “Nga 1760 shkolla që kemi në të gjithë territorin, në 1360 shkolla mësimi vazhdon sipas skenarit të parë”, deklaroi sot ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, ndërsa theksoi se mësimi i kombinuar ul mundësinë e infektimit.

Duke folur për mësimin e alternuar, Kushi tha se “pas sugjerimit të Komitetit të Ekspertëve dhe Ministrisë së Shëndetësisë për mësimin e kombinuar në shkollat tona, ne u mblodhëm të gjithë bashkë me ekspertët e Ministrisë së Arsimit, ekspertë për cilësinë e arsimit parauniversitar. U konsultuam dhe bëmë një analizë të eksperiencave të vendeve të tjera dhe hartuam shtojcën e udhëzuesit të vitit shkollor”.

“Vendimi i parë që ne morëm ishte që në zbatimin e varianteve të kësaj strategjie të kishte fleksibilitet midis shkollave të ndryshme. Çdo shkollë bazuar në numrin e nxënësve, në specifikat e saj, në numrin e infektimeve, pra është fleksibiliteti. Pra çdo shkollë merr vendimin në bashkëpunim me Kujdesin Shëndetësor dhe Zyrën Arsimore se cili do jetë varianti që aplikohet”, tha ajo.

“Në qytetet e mëdha ku ka raste të infektimeve dhe situata e pandemisë është më e rënduar kemi vendosur që cikli fillor nga klasa e parë deri në klasën e pestë dhe maturantët të vazhdojnë me të njëjtin skenar. Ne kemi menduar se këto dy kategori duhet të jenë me prezencë fizike. Nga njëra anë fëmijët nga mosha 6-11 vjeç e kanë të vështirë ta bëjnë mësimin online. Edhe për maturantët vendosëm këtë skenar, për arsyen se për ta është një vit shumë i rëndësishëm. Pasi u konsultuam edhe me eksperiencat e vendeve të tjera menduam se këto dy kategori duhet të jenë me prezencë fizike”, tha Kushi.

Ajo shtoi se klasat nga e 6-9 si dhe viti i parë dhe viti i dytë do zhvillojnë mësimin e kombinuar i cili është i shpjeguar në shtojcë.

“Alternativat që kishim ishin ose të rrinim një javë në shkollë ose një javë online, ose brenda javës dy ditë online dhe dy ditë në shkollë. Nuk vendosëm për alternativën një javë shtëpi dhe një javë në shkollë, sepse nuk donim që nxënësit të rrinin për një kohë të gjatë jashtë shkollës. Rreziku për infektim sipas ekspertëve është më i ulët. Kjo është një metodë që dhe vendet e tjera përreth e kanë aplikuar dhe ka rezultuar efikase”, tha Kushi. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.