Industria nxjerrëse regjistron rritjen më të lartë të kreditimit këtë vit

TIRANË, 1 dhjetor /ATSH/ Industria nxjerrëse dhe përpunuese ka shënuar rritjen më të lartë të kreditimit gjatë vitit 2020.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kredia në këtë sektor është rritur me 194% krahasuar me 9-mujorin e vitit 2019.

Rritja e kreditimit ka impakt të drejtëpërdrejtë në ritjen e investimeve, prodhimit dhe të ardhurave. Statistikat e BSH-së tregojnë se industria nxjerrëse është gjithashtu sektori me flukset më të mëdha edhe të investimeve të huaja.

Investimet në industrinë nxjerrëse në e tremujorin e parë të këtij viti, arritën vlerën e 76 milionë eurove, shifër kjo 50% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Finalizimi i disa prej projekteve të rëndësishme në energjetikë, ka sjellë rokadën në renditje, duke zbritur në vend të dytë energjetikën dhe ngjitur në vend të parë industrinë nxjerrëse, si sektorin që sjell vlera të larta të investimeve të huaja kryesisht në prodhimin e naftës bruto.

Shqipëria vlerësohet si një nga vendet më të pasura të Europës në rezervat hidrokarbure dhe kompania SHELL, është së fundi një tjetër investim madhor në fushën e naftës në vendin tonë.

Ndërkohë që nuk mbetet pas edhe ecuria pozitive në industrinë e përpunimit të bakrit.

Sipas statistikave, sektori minerar nga viti në vit ka rritur potencialin e tij në ekonominë e vendit, me një kontribut që shënoi nivelin e mbi 3 % në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB).

Investimet në rritjen e shfrytëzimit të burimeve të reja apo mineraleve të rinj, është një nga faktorët që ka nxitur prodhimin dhe eksportet e këtij sektori.

Prodhimi i këtij sektori vitin e kaluar shënoi mbi 4,590,749 tonë minerale.

Ndërkohë, prodhimi i bakrit për vitin 2019 u rrit me 56% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Shqipëria është një vend i pasur me burime të mineraleve të ndryshme. Zbulimi, shfrytëzimi dhe përpunimi i tyre, përbën një aktivitet të rëndësishëm për ekonominë e vendit. Tradicionalisht, industria nxjerrëse dhe e përpunimit të mineraleve si kromi, bakri, hekuri, qymyrguri, ka siguruar të ardhura të konsiderueshme. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.