SHBA – Kalifornia rekord pandemik, spitalet në vështirësi

LOS ANXHELES, 30 nëntor /ATSH-DPA/ – Kalifornia u godit nga një tjetër rekord historik dje, në luftën e saj kundër një rritje të paparë të rasteve të koronavirusit duke raportuar më shumë pacientë se asnjëherë tjetër me COVID-19 në spitalet shtetërore, çka ka vënë në vështirësi funksionimin normal të këtyre të fundit.

Si në të gjithë vendin ashtu edhe në qarkun e Los Anxhelesit, rastet mesatare ditore të koronavirusit janë katërfishuar në javët e fundit dhe shtrimet në spital janë trefishuar.

Javët e fundit, vdekjet mesatare ditore janë gjithashtu dukshëm në rritje, me një trefishim në Los Anxheles dhe afër dyfishimit në të gjithë të vendin.

Rritja ka shkaktuar një garë për të ulur rritjen e rasteve, përpara se një valë e shtrimeve në spital të mbingarkojë sistemin e kujdesit shëndetësor.

Zyrtarët shëndetësorë të qarkut kanë njoftuar një seri kufizimesh të reja gjatë dy javëve të fundit, ndërsa numrat kanë vazhduar të rriten.

“Ne ishim të përgatitur për një rritje të tillë”, tha Barbara Ferrer, drejtoresha e shëndetësisë e Los Anxhelesit.

”Por, askush prej nesh me të vërtetë nuk mendoi se rritja do të ishte aq e madhe për një periudhë kaq të shkurtër kohe”, theksoi ajo.

Numri i lartë erdhi pavarësisht nga fakti që numri i rasteve zakonisht bie në fundjavë, kur disa laboratorë nuk raportojnë rezultate. Zyrtarët gjithashtu kishin thënë se ata prisnin që numri i rasteve të reja të ishte më i ulët se normalja për disa ditë sepse asnjë test i komunitetit nuk ishte kryer gjatë Ditës së Falënderimeve.

Zyrtarët thonë se nëse kushtet vazhdojnë të përkeqësohen, mund të jetë e nevojshme të nxirren rregulla më të rrepta.

“Masa më kufizuese? Nuk mund ta imagjinoj se si do të dukej në këtë pikë”, tha Maria Salinas, presidente dhe CEO i Dhomës së Tregtisë së Los Anxhelesit.

Zyrtarët shëndetësorë kanë thënë se ekziston një rrezik i lartë i përhapjes në çdo vend ku njerëzit mblidhen me të tjerët dhe hanë, pinë ose takohen pa mbajtur maska./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.