Italia gjobit rëndë ”Apple” për mashtrim tregtar

ROMË, 30 nëntor /ATSH-AFP/ – Autoriteti italian i konkurrencës njoftoi të hënën se kishte gjobitur ”Apple” me 10 milionë euro (11,97 milionë dollarë) për pretendime mashtruese tregtare në lidhje me rezistencën ndaj ujit të disa prej modeleve të saj të iPhone.

”Gjiganti amerikan i teknologjisë nuk specifikoi që kjo karakteristikë ekzistonte vetëm në kushte të caktuara specifike, për shembull gjatë provave laboratorike me përdorimin e ujit statik dhe të pastër dhe jo në kushte normale të përdorimit”, theksoi autoriteti.

Modelet e prekura janë iPhone 8, iPhone 8 Plus, iPhone XR, iPhone XS, iPhone XS Max, iPhone 11, iPhone 11pro dhe iPhone 11 pro Max.

Për më tepër, treguesi që garancia e telefonave inteligjentë nuk mbulonte dëmet e shkaktuara nga lëngjet u konsiderua e mundshme “për të mashtruar konsumatorët”.

Autoriteti italian deklaroi më tej si “praktikë agresive biznesi” refuzimin e ”Apple” për të siguruar shërbimin pas shitjes nën garanci për këto modele iPhone kur ato u dëmtuan nga futja e lëngjeve.

Përveç gjobës prej 10 milionë eurosh të vendosur, ”Apple” do të duhet të publikojë një pjesë të vendimit në faqen e saj të internetit apple.com./  a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.