Hajdari: Përfaqësojmë njerëzit të cilët ndjehen sot të braktisur

TIRANË, 30 nëntor/ATSH/ Deputetja Rudina Hajdari pjesë e nismës “Thurje” që do të garojë në zgjedhjet e 25 prillit deklaroi sot se forca e saj politike përfaqëson njerëzit të cilët ndjehen sot të braktisur.

“Këtu nuk kemi luksin për t’u bërë pjesë e një ideologjie. Ka kohë që etiketohen të djathta apo të majta por nuk kanë lidhje as me të majtën as me të djathtën. Mund edhe të quhemi dështakë. Ne jemi një lëvizje dështakësh, nëse dështak quhet një njeri që punon në mënyrë të ndershme. nëse një grua shqiptare punon tre punë dhe mban fëmijët dhe quhet dështake, ne përfaqësojmë ata. Nëse një student ekselent mbaron shkollën dhe nuk gjen punë e quhet dështak, ne përfaqësojmë ata. Ne duam të përfaqësojmë ata njerëz që janë braktisur nga kjo klasë politike”, deklaroi Hajdari gjatë një interviste televizive.

Ne duhet, tha ajo, ta shikojmë realitetin në sy, të krijojmë një shtet të së drejtës e më pas të flasim për ideologji. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.