Divjaka “pushtohet” nga flamingot/ Braçe: I vetmi grumbullim që lejohet këto ditë e në vijim në Shqipëri

TIRANË, 30 nëntor/ATSH/ Zëvendëskryeministri Erion Braçe publikoi sot pamje nga parku i Divjakës, i tëri i “pushtuar” nga flamingot.

Zv/kryeministri Braçe, krahas fotove të publikuara përcolli edhe mesazhin për zbatimin e masave që parandalojnë përhapjen e COVID-19, teksa u shpreh se grumbullimi i flamingove, është i vetmi grumbullim që lejohet këto ditë e në vijim në Shqipëri.

“Parku, sot në mesditë. Kthimi në shtëpi është kështu. Mos harroni!. Është i vetmi grumbullim që lejohet këto ditë e në vijim në Shqipëri”, deklaroi Braçe.

Laguna e parkut Divjakë-Karavasta është kthyer në një “magnet” për flamingot, zogjtë me qafën e hollë dhe të harkuar dhe me këmbët e hijshme, të cilët e frekuentojnë atë prej 10 vitesh.

Moratoriumi i gjuetisë ka dhënë efektet e shtimit të numrit të shpendëve ujorë dhe migratorë në vendin tonë.

Flamingot jetojnë gjithmonë në grupe, që nga grupet e vogla, deri në qindra-mijëra. Zogjtë ngrihen në ajër në grup dhe fluturojnë me qindra kilometra gjatë periudhës së shtegtimit.

Fluturimi bëhet duke formuar radhë të gjata ose në formë V-je, derisa të arrijnë në vendmbërritjen e tyre, një liqen me ujë të kripur, që është vend i shkëlqyer për të ngritur folenë e për të rritur të vegjlit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.