Burgjet/ Gjonaj: Dje 9% mbipopullim, sot 21% nën kapacitetin maksimal

TIRANË, 30 nëntor/ATSH/ Falë investimeve të qeverisë, kapacitetet në institucionet penitenciare në vend sot janë 21% nën kapacitetin maksimal, ndërsa në vitin 2016 këto kapacitete ishin 9% mbi nivelin maksimal.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, përmes një grafiku pasqyroi popullimin në burgje përgjatë pesë viteve të fundit, ku vihet re se falë investimeve të realizuara nga qeveria, ky kapacitet ka ardhur në rritje dhe sot llogaritet 21% nën kapacitetin maksimal.

“Trashëguam problematika të mëdha në sistemin penitenciar. Mbipopullimi dhe kushtet e trajtimit të burgosurve ishin shqetësime serioze në sistemin e burgjeve të publikuar nga shumë organizata ndërkombëtare si CPT dhe institucione të pavarura vendore”, vijoi ajo.

“Falë investimeve, miradministrimit dhe reformës penitenciare, arritëm uljen e mbipopullimit në sistemin e burgjeve duke përmirësuar si nata me ditën edhe kushtet e trajtimit të të dënuarve dhe të paraburgosurve. Gjetëm mbipopullim në burgje me 9% mbi kapacitetin maksimal në vitin 2016 dhe sot jemi në 21% në kapacitetin maksimal”, evidentoi ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Sipas grafikut, në vitin 2016, burgjet shqiptare ishin të mbipopulluara, duke regjistruar 9% mbi nivelin maksimal të kapaciteteve.

Ndërsa në vitin 2017, ky mbipopullim nisi të ulej, duke arritur në 4% nën kapacitetin maksimal, më tej sërish rritje të popullimit, 3% mbi kapacitet, por më pas falë investimeve të qenësishme, popullimi në burgje arriti të ketë shifra pozitive, duke qenë 13% nën kapacitetin maksimal dhe për të mbërritur në vitin 2020, kur ky kapacitet ka arritur 21% nën nivelin maksimal. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.