1500 pasuri të sekuestruara nga OFL/ Lleshaj: Në fund të dhjetorit përmbyllet dërgimi i të gjitha dosjeve në Gjykatë

TIRANË, 30 nëtor/ATSH/ Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj garantoi sot se Policia e Shtetit është e angazhuar në maksimum për të luftuar krimin, duke besuar se ky është kontributi më i madh për të krijuar një mjedis sa më të sigurtë në Shqipëri edhe gjatë periudhës së zgjedhjeve.

“Niveli i luftës kundër krimit të organizuar është në maksimumin historik. Sot më shumë se kurrë kemi kapacitete të specializuara në këtë sektor”, deklaroi ministri gjatë një interviste në media.

Ministri, po ashtu bëri të ditur se janë rreth 1500 pasuri të cilat janë sekuestruar në kuadër të “Operacionit Forca e Ligjit” (OFL), të cilat presin vendimin e Gjykatës së Posaçme.

OFL, tha ministri, ka siguruar provat dhe dokumentacionin në volum e cilësi, çka e bën të pamundur të kemi surpriza sa i përket vendimeve për sekuestro në këtë process.

Qeveria, shtoi Lleshaj, do të kërkojë shtyrjen e afatit të zbatimit të OFL për t’i dhënë mundësi Gjykatës të përfundojë të gjitha vendimet e saj, por vetë OFL deri në fund të muajit dhjetor do të ketë përmbyllur dërgimin e të gjitha dosjeve.

Sa i përket skuadrës “FAST”, apo njësia “K”, ministri Lleshaj tha se ajo është në operim tashmë dhe se disa persona, të cilët ndër vite i janë shmangur drejtësisë, janë sot para saj.

“Misioni kryesor i kësaj skuadre është gjetja dhe sjellja para drejtësisë e personave të cilët i janë shmangur asaj ndër vite. Sot falë punës së kësaj skuadre kemi qindra persona të kapur”, deklaroi ministri.

Më tej, ministri Lleshaj komentoi edhe operacionet e Policisë kundër lëndëve narkotike në vend.

“Ne kemi thënë që operacionin kundër kanabis do ta fillojmë tani, duke e fokusuar luftën në fazën e furnizimit me fara e elementë të tjerë të nevojshëm për këtë fazë. Ne kemi arritur ta reduktojmë në mënyrë drastike kultivimin e kësaj bime narkotike. Kjo tregohet edhe nga shifrat e kapura në brigjet e Italisë apo Greqisë që shkojnë në minimumin historik. Në brigjet italianë këtë vit janë kapur vetëm 900 kg kanabis. Duke qenë se e kemi rrudhur këtë aktivitet kriminal mund të arrijmë ta mbajmë nën kontroll e ta godasim në një fazë më të hershme”, tha ministri. Shkodra, Durrësi, Berati dhe Vlora janë konsideruar vatra gjatë këtij viti.

Lleshaj theksoi se Policia e Shtetit mbetet e angazhuar të luftojë çdo fenomen kriminal, duke nisur që nga radhët e veta.

“Kemi patur të dhëna që ka patur punonjës që nuk e kanë ushtruar detyrën në mënyrën e duhur, raste të izoluara të zbuluara nga vet Policia e Shtetit. Masat e marra tregojnë angazhimin tonë pa kompromis për të luftuar çdo fenomen kriminal, së pari, brenda vetes, në mënyrë që të pastrojmë më pas Shqipërinë rrënjësisht nga ky fenomen”, u shpreh ministri.

Më tej, ai komentoi edhe debatet mbi listat e zgjedhësve, duke siguruar se nuk ka manipulime.

“Nuk ka asgjë të manipuluar. Është një dinamik normale e lëvizjes së popullsisë, lëvizje të cilat pasqyrohen në regjistrat e zgjedhësve. Nuk ka hapësirë për politikë. Sot gjendja civile ka arritur të gjenerojë ekstraktin e tretë të listës së zgjedhësve, fizikisht dhe online. Kushdo e ka mundësinë të verifikojë e reklamojë çdo rast, por deri tani nuk kemi asnjë ankesë të në qytetari për lëvizje në mënyrë arbitrare”, tha ai.

Lleshaj deklaroi se orët shtesë të punonjësve të Policisë së Shtetit janë paguar dhe do të paguhen edhe në vijim. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.