Rindërtimi/ Tabaku: Nuk u mbajt asnjë premtim

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/- Ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku deklaroi sot se bilanci 1 vit pas tërmetit është një dështim pasi nuk u mbajt asnjë premtim.

Ajo tha se qeveria premtoi se deri në dhjetor familjet do të futeshin në shtëpitë e tyre, por për 1 vit ka ndërtuar vetëm 2.6% të shtëpive.

“Premtoi se në shtator nxënësit do të kishin shkollat e reja dhe qytetarët spitale të reja. Pas një viti, ka ndërtuar vetëm 3% të shkollave të premtuara dhe zero spitale. Bilanci 1 vjeçar pas tërmetit i Edi Ramës është zero pallate të reja të ndërtuara”, tha ajo.

Tabaku tha se “koha e mashtruesve dhe gënjeshtarëve që duan të përdorin çelësat e shtëpive si kapital fushate ka përfunduar. Koha e hajdutëve që edhe në kohë fatkeqësie tragjeditë kolektive i përdorin si mjete këmbimi për votë në fushatë ka përfunduar. Ka ardhur koha që Shqipëria të ketë një qeveri që punon për të përmbushur premtimet dhe nevojat e qytetarëve”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.