Pajisja me leje pune për të huajit/ Aplikimi online në e-Albania

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Të huajt që kërkojnë të pajisjen me leje pune në Shqipëri mund të aplikojnë online në portalin e-Albania.

Këshilli i Ministrave miratoi së fundmi kriteret, proceduarat dhe tarifat e pajisjes me leje pune për të huajt në territorin shqiptar.

Sipas vendimit, kërkesa drejtuar Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA) shoqëruar me dokumentacionin përkatës mund të bëhet nga vetë shtetasi i huaj ose punëdhënësi i tyre.

Aplikuesi, i cili mund të jetë vet personi i huaj apo edhe punëdhënësi i tij, përveç kërkesës në gjuhën shqipe, duhet të dorëzojë online, dokumente të cilat duhet të jenë të përkthyera në gjuhën shqipe dhe të njësuara me origjinalin nga noteri si: kontrata e punës; kualifikimet profesionale; prokurën nga i huaji apo punëdhënësi, nëse aplikimi kryhet nëpërmjet një përfaqësuesi të autorizuar, si dhe kërkesën e paraqitur në institucionet përkatëse, për t’u siguruar në skemat e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Për shtetasit e huaj, të kualifikuar si punonjës të lartë, nëse plotësojnë kriteret, leja e punës jepet me një afat jo më pak se 1 vit. Të huajit i ripërtërihet leja e punës, si punonjës me kualifikim të lartë, për 2 herë radhazi me një afat 2-vjeçar e më pas me afat të përhershëm. Kjo, nëse ka një kontratë pune të vlefshme, në përputhje me formimin e tij profesional, për një afat dyvjeçar, por jo domosdoshmërish me punëdhënësin, që ka përfituar lejen e parë të punës dhe është me qëndrim të ligjshëm në Shqipëri.

Tarifa për marrjen e lejes të punës për ata shtetas të huaj, që pajisen për herë të parë, do të jetë 6, mijë lekë, ndërsa për ata që u ripërtërihet leja e punës tarifa është 3 mijë lekë.

Vendimi përcakton se shtetasit të huaj i refuzohet leja e punës, për rastet kur nga AKPA-së, pas paraqitjes së kërkesës verifikohet se në QKB, punëdhënësi është i regjistruar me statusin “pasiv”, dhe nuk ka shlyer detyrimet lidhur me pagat e punonjësve, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore nga ana e subjektit, pranë të cilit do të punësohet i huaji.

Nëse AKPA-së vlerëson se dokumentacioni i paraqitur është i plotë e pajis të huajin, brenda 10 ditëve me leje pune. E njëjta procedurë ndiqet edhe në rastin e shqyrtimit të dokumentacionit për ripërtëritjen e lejes së punës.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.