Dita e Pavarësisë/Pompeo: Përgëzojmë Shqipërinë për udhëheqjen si kryesuese e OSBE-së, SHBA-të aleate e palëkundur

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/- Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo ka uruar në emër të qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe popullit amerikan Shqipërinë në Ditën e Pavarësisë.

Pompeo shprehet se “këtë vit, ne festojmë edhe vendimin e Bashkimit Europian për të hapur negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë, një shenjë e përparimit të rëndësishëm që Shqipëria ka bërë në zbatimin e reformave të nevojshme për anëtarësimin në BE. Ne e përgëzojmë Shqipërinë për udhëheqjen e saj si kryesuese e OSBE-së për 2020-ën dhe vlerësojmë gjithçka që ajo ka bërë për të shfaqur përkushtimin e saj ndaj komunitetit Transatlantik. Shqipëria luan një rol qendror në ndihmesën për sigurimin e paqes dhe stabilitetit si pjesë e Aleancës së NATO-s, dhe Shtetet e Bashkuara qëndrojnë pranë Shqipërisë si një aleate e palëkundur”.

“Uroj mirëqënie dhe shëndet për popullin shqiptar, ndërsa punojmë së bashku për të kapërcyer sfidat me të cilat na përballi pandemia COVID-19”, shprehet Pompeo në mesazhin e urimit publikuar nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.