Ceremonia e ngritjes së flamurit në sheshin Skënderbej/ Veliaj: Vetëm e mira dhe bashkimi e ka çuar këtë vend përpara


TIRANË, 28 nëntor/ATSH/- Kryebashkiaku Erion Veliaj zhvilloi sot  ceremoninë për Ditën e Pavarësisë ku ka ngritur dhe flamurin në sheshin Skënderbej.

Duke uruar shqiptarët për 108-vjetorin e Pavarësisë, Veliaj se vetëm të bashkuar mund të dalim fitues në betejën me pandeminë.

“Se ky 28 Nëntor, na gjen realisht në një kohë të pafat, sepse po jetojmë në një kohë të pafat planetare, pa harruar as faktin se 28 Nëntorin e kaluar nuk e festuam dot, kur tërmeti fatal provoi brishtësinë tone njerëzore. Por, siç duket, jeta kështu është, një dyluftim gjithmonë përballë fatit, duke u përleshur, të palëkundur, në tehun ndarës mes dështimit dhe triumfit. Por, edhe pse të brishtë në fatkeqësi, ne shqiptarët kemi ditur të jemi gjithmonë të bashkuar”, tha ai, duke shtuar se “kjo ka qenë arma jonë më e fortë.Një dyluftim gjithmonë përballë fatit.

Veliaj theksoi se sot beteja duhet të jetë vetëm me pandeminë dhe jo me njëri-tjetrin.

“Teksa flamuri kuqezi po ngrihej lartë, për një çast po mendoja për ata burra që shpallën pavarësinë 108 vite më parë. Sot është e rëndësishme të kuptojmë historinë që kemi ardhur. Çdo tiranas dhe çdo i ardhur duhet të jetë i nderuar që është në kryeqytet. Sot përulemi përpara patriotëve të Tiranës. 108 vite më parë për ne shqiptarët nisi një epokë të re. Kur ne shqiptarët bëhemi bashkë, ne mund të ngrihemi. Kjo është forca jonë. Pandemia dhe tërmeti ka sjellë shumë sfida dhe vështirësi”, tha Veliaj.

“Tirana dhe Shqipëria nuk kanë kohë për të humbur, as për t’u përçarë. Vetëm e mira dhe bashkimi e ka çuar këtë vend përpara. Jam i vetëdijshëm se pandemia dhe tërmetet mund të kenë sjellë shume sfida dhe vështirësi për të gjithë qytetarët tanë, duke e bërë me raste dritën në fund të tunelit të duket e pamundur dhe të paarritshme, ashtu siç dukej 108 vite më parë, para se të shpallej Pavarësia”, u shpreh Kryebashkiaku Veliaj.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.