Biznesi rriti investimet, kryeson sektori energjitik me 78.7 miliardë lekë

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Në vitin 2019, ndërmarrjet që operojnë në aktivitetet e prodhimit të të mirave dhe shërbimeve realizuan 2.261 miliardë lekë shitje neto, duke shënuar një rritje me 3,7% krahasuar me vitin 2018.

INSTAT publikoi rezultatet paraprake të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve për vitin 2019, sipas të cilit, investimet e realizuara arritën vlerën 242 miliardë lekë nga 238 miliardë lekë në 2018, duke shënuar një rritje prej 1,4%.

Në vitin 2019, operuan 104.091 ndërmarrje aktive, duke u ulur me 3,1%, krahasuar me vitin 2018, ndërsa numri gjithsej i të punësuarve u rrit me 2,9%.

Bazuar në rezultatet paraprake të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve, kontributin më të madh në rritjen prej 3,7% të shitjeve neto e dhanë prodhuesit e shërbimeve me +3,3 pikë përqindje, të ndjekur nga prodhuesit e të mirave me +0,4 pikë përqindje.

Gjatë vitit 2019, sektori i tregtisë zë peshën më të lartë të shitjeve neto me 46,1%, i ndjekur nga sektori i industrisë përpunuese me 11,8%. Sektorët me peshën më të vogël janë sektori i akomodimit dhe restoranteve (3,1%) dhe sektori i industrisë nxjerrëse (3,6%).

Në nivelin e investimeve, prodhuesit e të mirave kontribuan pozitivisht me 4 pikë përqindje, ndërsa prodhuesit e shërbimeve kontribuan negativisht me 2,6 pikë përqindje. Prodhuesit e shërbimeve zunë 35,5% të investimeve nga 38,6% që zinin vitin e kaluar.

Sektori me vlerën më të lartë të investimeve të realizuara është ai i energjisë elektrike dhe ujit, i cili për vitin 2019 ka investuar 78.7 miliardë lekë duke zënë 32,6% të investime gjithsej. Peshën më të vogël të investimeve e zënë sektorët e akomodimit dhe restorantet(4,3%) dhe industrisë nxjerrëse (6,2%)./a.gjonaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.