Bie me 15% numri i lejeve ndërtimit të miratura në 3-mujorin e III

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Në tremujorin e tretë të këtij viti janë miratuar gjithsej 262 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 308 leje të miratuara në tremujorin e tretë 2019, duke shënuar një rënie prej 14,9%.

Referuar statistikave të publikuara nga INSTAT, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e tretë 2020, është 397.947 m2 nga 690.699 m2 miratuar në tremujorin e tretë 2019, duke shënuar një rënie prej 42,4 %.

Në tremujorin e tretë 2020, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 19,5 miliardë lekë, nga 25,8 miliardë lekë miratuar në tremujorin e tretë 2019, duke shënuar një rënie prej 24,3%.

Numri më i lartë i lejeve të miratuara për ndërtesa të reja shënohet në Tiranë, ose ¼ e numrit totalit të lejeve të miratuara për një sipërfaqe prej gati 220 mijë metrash katror.

Referuar statistikave, ndërtimet për banim zënë më shumë se gjysmën e  numrit të lejeve të dhëna për periudhën. Konkretisht janë dhënë 166 leje për ndërtime për banim nga të cilat 68 janë me një kat, 66 me dy kate dhe 30 me tre ose më shumë kate./a.gjonaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.