63% e ndërmarrjeve në vend operojnë në sektorin e tregtisë dhe shërbimeve

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Në të gjithë vendin u numëruan 104.091 ndërmarrje aktive gjatë vitit, ose 3,1% më pak krahasuar me vitin 2018, ndërsa numri gjithsej i të punësuarve arriti 530 688, duke shënuar rritje me 2,9%.

INSTAT publikoi rezultatet paraprake të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve për vitin 2019, sipas të cilit në uljen e numrit të ndërmarrjeve aktive, prodhuesit e shërbimeve kontribuan negativisht me nga 2,8 pikë përqindje dhe prodhuesit e të mirave me 0,3 pikë përqindje.

Sektori me numrin më të madh të ndërmarrjeve është ai i tregtisë (40%) i ndjekur nga sektori i shërbimeve të tjera (23%) dhe sektori i akomodimit dhe restoranteve (16,7 %).

Gjatë 2019, sektori i i energjisë elektrike dhe ujit pati numrin më të vogël të ndërmarrjeve aktive të cilat zunë 0,6 % të ndërmarrjeve aktive gjithsej.

Gjatë 2019, nga vrojtimi rezulton se ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar japin kontributin kryesorë në ekonomi dhe realizuan 46,8 % të shitjeve neto, 41,6 % të të punësuarve gjithsej dhe 56,3 % të investimeve edhe pse përbëjnë vetëm 1,4 % të ndërmarrjeve aktive

Nga rezultatet paraprake të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve vërehet se ndërmarrjet me 1-4 të punësuar kanë kontributin më të madh të shitjeve neto me 2,4 pikë përqindje të ndjekura nga ndërmarrjet me 10-49 të punësuar me 0,7 pikë përqindje në ndryshimin vjetor gjithsej të shitjeve neto.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.