Tregu sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës/ Dëmet e paguara u rritën me 23%

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-tetor 2020 kapën vlerën mbi 13,513 milionë lekë, ose 5.43% më pak se në periudhën janar-tetor 2019.

Gjatë periudhës janar-tetor 2020, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 785,393 me një ulje prej 28.93% krahasuar me periudhën janar-tetor 2019.

Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 93.18% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 6.81%.

Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 36.90% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 63.10% të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar-tetor 2020, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 6,192 milionë lekë, ose 23% më shumë se në periudhën janar-tetor 2019.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.