Ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës në Gjermani, marrëveshje për forcim të bashkëpunimit

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Me qëllim forcimin e marrëdhënieve vëllazërore mes Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës, në fushën e politikës së jashtme, për të bashkërenduar punën mes ambasadave e konsullatave, sot ambasadat e dy vendeve në Gjermani, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi.

Lajmin e bëri të ditur ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, i cili theksoi se kjo marrëveshje parashikon së paku një aktivitet të përbashkët në çdo muaj, në të mirë të shqiptarëve e në shërbim të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve me Gjermaninë.

Gjithashtu, kryediplomati Cakaj u shpreh se në Mynih tashmë Shqipëria e Kosova ndajnë një godinë të përbashkët.

“Krenar me punën e jashtëzakonshme të diplomatëve të Kosovës e Shqipërisë në Gjermani”, tha Cakaj./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.