Teliti: Brenda 1 viti janë ndërtuar vetëm 89 ndërtesa dhe 10 shkolla

TIRANË, 26 nëntor /ATSH/  Drejtori i kabinetit të Partisë Demokratike, Dorjan Teliti, deklaroi sot se brenda 1 viti janë ndërtuar vetëm 89 ndërtesa individuale dhe asnjë pallat, ndërkohë që nga 307 shkolla, janë bërë vetëm 10.

“Jemi një vit pas tërmetit. Që ishte një dramë e madhe. Ajo që ka për detyrë qeveria, është mënyra e reagimit. I mbani mend premtimet e bujshme? Që pas ‘6 muajsh’ apo ‘brenda 1 viti do të jeni në shtëpi’. Deri më sot nuk është ndërtuatr asnjë pallat i vetëm. Deri më sot janë ndërtuar nga 3389 shtëpi individuale, janë ndërtuar vetëm 89. Me këtë ritëm do na duhen 30 vite. Vetëm 10 shkolla janë ndërtuar, kur duhen ndërtuar 307 objekte arsimore. Edhe ne nëse do ishim në qeverisje s’do bënim procesin e rindërtimit brenda 1 viti”, tha Teliti.

Ai theksoi se, qeveria ka detyrim ligjor të strehojë qytetarët në raste fatkeqësish natyrore.

“Ligji për fatkeqësinë natyrore në Republikën e Shqipërisë të thotë qartë dhe thjesht, në rastin e një fatkeqësie natyrore, siç është dhe tërmeti, shteti shqiptar qeverisja qendrore dhe lokale ka detyrimin ligjor. Se po i vëmë dekoratë që i kanë dhënë bonus qiraje 170 mijë lekë në Tiranë. Po më thoni mua nëse gjeni dot një shtëpi sot me 170 mijë lekë të vjetra qira mujore. Sipas konstatimeve sot qiratë në Tiranë janë rreth 300 mijë lekë të vjetra”, tha ai.

Teliti deklaroi se të gjitha tenderat për rindërtim i janë besuar 2-3 kompanive. Teliti tha se kjo gjë ka sjellë vonesë në proces dhe se qeveria nuk ka mbajtur premtimet e saj.

“Deri më sot janë tenderuar 4 lote për shtëpitë individuale dhe nuk kanë fituar 4 firma të mëdha. 3 prej tyre i ka fituar njëra firmë. Firma e një kryetari bashkie të PS”, tha ai

Teliti theksoi se, “procesi është ngadalësuar. Janë ndërtuar godina për qeverinë dhe për bashkinë, përpos atyre ndërtesave të të prekurve nga tërmeti”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.