Një vit nga tërmeti shkatërrues/ Meta: Solidaritet të thellë me të gjithë banorët e prekur nga kjo fatkeqësi

TIRANË, 26 nëntor /ATSH/ Presidenti i Republikës Ilir Meta ka përkujtuar sot 51 jetët e humbura nga tërmeti shkatërrues i një viti më parë, pasi dhuroi gjak në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut.

Në një prononcim për media, Meta u shpreh se, “meqenëse sot është edhe përvjetori i tërmetit mjaft të fortë dhe tragjik që mori 51 jetë të qytetarëve tanë 1 vit më parë dhe që shkatërroi banesat dhe pronat e aq shumë qytetarëve të Kurbinit, Krujës, Durrësit, Kavajës, Tiranë e me radhë, shpreh solidaritetin më të thellë me këta banorë, që jo vetëm vuajnë moszgjidhjen e çështjes së banimit por edhe mungesën e ndihmave dhe se një pjesë e tyre jetojnë në kushte të vështira, për shkak se dimri ka hyrë e kjo i bën më të ndjeshëm ndaj rënies së imunitetit dhe prekjen nga virusi COVID-19″.

“Është e rëndësishme të shtohen të gjitha përpjekjet për të qenë sa më pranë tyre, sa më pak propagandë, sa më shumë punë dhe transparencë. Po ashtu ndëshkim për të gjithë ata që duhet të mbajnë përgjegjësi për cilësinë e dobët në ndërtesat e shkatërruara një vit më parë”, – deklaroi Meta.

“Falenderim për të gjitha vendet mike për ndihmat bujare ndaj popullit shqiptar”, – tha Presidenti Meta. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.