Klasat e para dhe maturantët mësim në mjediset e shkollës, klasat e 6-9 dhe 10, 11, mësim i alternuar

TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ Klasat e arsimit fillor, nga e para në të pestën, dhe klasa e 12-të (maturantët) do të zhvillojnë normalisht procesin mësimor në mjediset fizike të shkollës – njësoj siç kanë vepruar deri më tani me skenarin 1 të Udhëzuesit për fillimin e vitit shkollor 2020 – 2021, ndërsa klasat nga e 6 në të 9, si dhe klasat 10 dhe 11 do të zhvillojnë mësimin e alternuar.

Kështu deklaroi sot ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, në një deklaratë për shtyp.

“Klasat nga e 6 në të 9, si dhe klasat 10 dhe 11 do të zhvillojnë mësimin në këtë mënyrë në javën tek, pra javën e parë dhe të tretë të muajit: 2 ditët e para të javës në mjediset e shkollës, dhe 3 ditët e tjera të javës online. Në javën çift, pra në javën e dytë dhe të katërt, ditët këmbehen: pra 2 ditët e para të javës nxënësit janë online dhe 3 ditët e tjera të javës me prezencë fizike në shkollë”, theksoi Kushi.

Ministrja Kushi tha se “në varësi të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, në rast se shkollat kanë situata të rënduara në stafet mësimore apo tek nxënësit, me urdhër të MASR, mund të aplikohet skenari kur vetëm klasat fillore (nga 1 tek e 5) dhe maturantët zhvillojnë mësimin në klasë. Ndërsa klasat e tjera bëhen online. Dhe në raste më të rënduara, vetëm klasa 1 dhe klasa 12-të në mjediset fizike të shkollës, ndërsa të gjitha klasat e tjera do të zhvillojnë mësimin online”.

Sipas ministres, në raste të veçanta, kur ka raporte mjekësore, apo me kërkesë të prindit, nxënësit mund ta zhvillojnë mësimin tërësisht online, duke kaluar nga një grup në tjetrin brenda klasës.

“Për ato shkolla, publike apo private, në qytet apo fshat, ku numri i nxënësve nëpër klasa është i ulët dhe nuk ka raste të infektuarish me COVID-19, mund të vazhdojë të zbatohet skenari i parë, siç është në fuqi, natyrisht në zbatim të rregullave dhe protokolleve shëndetësore dhe me mirëkuptimin e prindërve”, – nënvizoi Kushi.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, tha Kushi, kanali i dedikuar “RTSH Shkolla” dhe platforma online “Akademi.al” do të jenë në dispozicion të nxënësve dhe mësuesve në mbështetje të procesit mësimor.

Ministrja Kushi tha se “është një sfidë që pa dyshim do ta kapërcejmë të gjithë së bashku, duke ofruar sa më shumë bashkëpunim, mirëkuptim dhe solidaritet për njëri-tjetrin, veçanërisht me prindërit”.

“Më lejoni që përmes këtij mesazhi të përshëndes edhe të gjithë studentët dhe stafet pedagogjike të institucioneve tona të Arsimit te Lartë. Për ta, Komiteti i Ekspertëve ka sugjeruar që mësimi online të vazhdojë edhe pas muajit të parë për një afat të pacaktuar në varësi të situatës së pandemisë. Unë kam shumë besim që edhe universitetet do të vazhdojnë me rigorozitet zbatimin e këtij skenari, për të cilin janë të përgatitur dhe kanë krijuar tashmë një eksperiencë edhe gjatë muajve të parë të pandemisë, por edhe gjatë këtij muaji sfidues të fillimit të vitit të ri akademik”, – shtoi Kushi.

Ministrja Kushi u shpreh se “pas konsultimeve dhe orëve të gjata të punës me ekspertët e Ministrisë së Sportit dhe Rinisë, përfaqësuesit e Agjencisë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar (ASCAP), si dhe analizës së eksperiencës në vendet e tjera, kemi hartuar shtojcën e udhëzuesit të fillim-vitit 2020-2021, i cili tashmë është publikuar në faqen zyrtare të MASR dhe do t’iu vihet menjëherë në dispozicion çdo institucioni arsimor në të gjithë vendin”.

Sipas këtij udhëzuesi, tha Kushi, shkollat do të kenë fleksibilitet në përzgjedhjen e varianteve të mësimit të kombinuar, në varësi të situatës së pandemisë, numrit të nxënësve, apo kushteve të tyre specifike, por gjithmonë duke ruajtur të gjitha rregullat higjieno-sanitare dhe të distancimit fizik.

Skenari i mësimit të kombinuar do të nisë të zhvillohet nga data 1 dhjetor 2020 deri në një vendim tjetër, sipas rekomandimeve të Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS).

Gjatë kësaj periudhe, do të vazhdojë të zbatohet i njëjti program mësimor, të njëjtat plane mësimore e ngarkesa të mësuesve, si dhe rekomandohet të zbatohet orari mësimor që shkollat kanë aktualisht.

Çdo të premte, shkollat në bashkëpunim edhe me Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, do të raportojnë në Zyrat Arsimore lidhur me situatën e tyre, dhe më pas do të merret vendimi për çdo shkollë për mënyrën si do të zhvillohet mësimi.

Ky vendim do të merret nga MASR dhe do të përcillet nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar (DPAP) tek drejtoritë rajonale dhe Zyrat Arsimore përkatëse.

Ministrja i bëri një apel për të gjithë, që ashtu siç keni qenë model deri tani nëpër shkolla, të vazhdojmë me respektimin e protokolleve shëndetësore dhe masave antiCOVID, të cilat janë aq shumë të nevojshme për të ruajtur shëndetin e gjithsecilit dhe për ta kapërcyer sa më parë këtë situatë.

/k.s//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.