Basha: Një vit pas tërmetit kemi premtime të pambajtura, shumë familje ende në çadra

TIRANË, 26 nëntor/ATSH-A. Fortuzi/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte sot në familjen e Bujar Çukës në Thumanë të cilët humbën në atë ditë të errët të tërmetit, nënën dhe djalin.

Basha ngushëlloi të gjithë familjet që humbën të dashurit e tyre në tërmetin e 26 nëntorit dhe premtoi se do të bëjë gjithçka që t’i jepet fund kësaj katastrofe dhe njerëzit e dëmtuar të marrin zgjidhje.

“Jam i vetëdijshëm, sepse vazhdimisht kam qenë në zonat e goditura nga tërmeti për vuajtjet, dhimbjet, në radhë të parë të atyre që humbën të dashurit e tyre, por edhe të qindra mijëra familjeve të tjera që iu shkatërrua pasuria e një jete, shtëpitë, banesat e tyre, vuajtjet të cilat për fat të keq vazhdojnë edhe sot që flasim, ku shumica dërrmuese e familjeve vazhdojnë të jenë në kushte shumë të vështira”, – shtoi ai.

“Një pjesë e tyre akoma në çadra, një pjesë e tyre janë detyruar të futen në shtëpi të pasigurta, njësoj si ato që shkaktuan tragjedinë e Thumanës ku rikthimi në dy pallatet e dëmtuara nga tërmetet e mëparshme solli dhe humbjen e 24 jetëve. Gjendja e tyre ekonomike është shumë e vështirë”, – vijoi Basha.

“Ata janë dyfish të kërcënuar nga pandemia për shkak të mungesës së elementëve bazë higjieno-sanitare, të ujit të rrjedhshëm. Ndaj sot dua të shpreh edhe njëherë indinjatën që një vit më pas kemi shumë fjalë dhe pak punë, kemi premtime të pambajtura dhe kemi mijëra familje që gjenden në një situatë shumë të vështirë pas tërmetit, pa banesa të sigurta, me një gjendje ekonomike të rrënuar”, – u shpreh kreu i PD.

“Dua të zotohem, sot në 1 këtë vjetor të tërmetit, se do bëjmë gjithçka që t’i japim fund kësaj katastrofe në vazhdim. Do të bëjmë gjithçka që njerëzit e dëmtuar nga tërmeti të marrin ndihmën e merituar dhe jo vetëm fjalë e premtime boshe. E di që kjo është një ditë shumë e trishtë për mijëra familje shqiptare, e di që e sotmja i gjen me një situatë të pandryshuar për disa muaj që pas goditjes së tërmetit të 26 nëntorit. Kam qenë pranë tyre, i kam vizituar pranë rrënojave të shtëpive të tyre, brenda çadrave ku kanë kaluar dimrin e kaluar, verën dhe përsëri vjeshtën dhe dimrin që po vjen. Dua t’ju them që e ndiej dhimbjen tuaj, ndiej revoltën tuaj”, – tha Basha.

“Do bëj gjithçka që mos t’ju zhgënjej dhe t’i japim fund një politike të fjalëve, të premtimeve të pambajtura dhe të keqpërdorimit të fatkeqësisë. Dhe do bëhemi të gjithë bashkë që ju të merrni atë që meritoni dhe që vendi të ketë një qeveri të përgjegjshme, e cila ndjen dhimbjen me ju dhe bën gjithçka për ta lehtësuar këtë dhimbje përmes veprave dhe jo fjalëve boshe”, – përfundoi Basha.

Basha u ndal edhe në dy familje të tjera në Thumanë të cilët kanë humbur banesat e tyre, por ende një vit më pas nuk kanë marrë ende asnjë zgjidhje nga qeveria. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.