Spitali i ri i Kirurgjisë në QSUT dëshmi e transformimit epokal në shëndetësi/ Rama: Shqipëria ka hyrë në rrugën e një rilindjeje pa kthim

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje pamje nga spitali i ri i kirurgjisë në QSUT, “Frederik Shiroka”, një investim me standarde europiane me 7 salla të reja operacioni, pajisje të teknologjisë së fundit dhe kapacitet prej 9 mijë ndërhyrje në vit.

“Kush nuk do që ta shikojë se çfarë transformimi epokal po ndodh me shëndetësinë falë qeverisjes sonë dhe ose kur flet mbrapsht vazhdon mban mend spitalet e tmerrshme të së shkuarës, ose pa shkuar, shyqyr Zotit, vetë në spital vazhdon ushqehet me thashethemet denigruese për bluzat e bardha, nuk e ndryshon dot sidoqoftë faktin kokëfortë se sot, Shqipëria ka hyrë në rrugën e një rilindjeje pa kthim, që vazhdon çdo ditë në sektorin e shëndetësisë”, tha Rama, ndërkohë që solli në vëmendje edhe gjendjen e spitalit vetëm 7 vite më parë.

“Frederik Shiroka”, spitali i ri i kirurgjisë në QSUT është një vepër e standardeve europiane që ka modernizuar një herë e mirë nivelin e kirurgjisë në vendin tonë.

Në një intervistë për ERTV, mjeku anestezist reanimator, Krenar Lilaj u shpreh se që nga inagurimi në fillim të këtij viti e deri më sot, spitali ka funksionuar me kapacitet të plotë duke përfshirë të trija klinikat me rreth 100 shtretër, pa përfshirë këtu shtretërit e reanimacionit.

“Çdo dhomë ka të ndërtuar sistemin e sinjalistikës që i sëmuri pa lëvizur nga krevati njofton personelin mjekësor. Çdo dhomë ka tualetin përkatës, të gjitha dhomat janë me nga dy shtretër. Në të gjithë pavijonin tonë kemi dy bokse të veçanta që mbahen për të sëmurët më seriozë apo me probleme infektive. Kemi hollin e familjarëve që presin të sëmurin kur operohet dhe bëjnë kontaktin me mjekun lidhur me prognozën e sëmundjes e detajet e operacionit”, tha Lilaj.

Ndërkohë, në bllokun e reanimacionit, ai tha se përfshihet edhe dhoma e zgjimit të të sëmurëve.

“Pa dalë anestezia i sëmuri akomodohet në dhomën e zgjimit. Dhomat e zgjimit janë të përbëra prej 8 shtretërish. Janë të pajisura me monitorët përkatës dhe respiratorët dhe kryhet zgjimi i ngadalshëm i të sëmurëve duke i lënë radhën sallës së operacionit për t’u shfrytëzuar nga të sëmurë të tjerë, të cilët kanë nevojë të operohen. Kështu rritet eficienca e përdorimit të sallave, pasi më parë, kur nuk dispononim dhomat e zgjimit, shtynim operacionin pasardhës”, tha mjeku.

Po ashtu, ai theksoi se “kategoria tjetër e të sëmurëve më rëndë që kanë nevojë për një trajtim të specializuar pas operacionit, trajtohen në njësinë e terapisë intensive”.

“Kjo është e përbërë nga 7 shtretër, 6 janë në holl dhe një boks i veçantë rezervohet për të trajtuar të sëmurët e tjerë”, tha ai.

Mjeku Lilaj u shpreh se “është komoditet i madh për mjekët, infermierët dhe të sëmurët vetë që marrin cilësinë e shërbimit që u takon”. “Janë aparatura shumë të mira që gjenden në të gjitha njësitë e terapisë intensive kudo në Europë”, tha ai.

Aida Hajro, kryeinfermiere, u shpreh se “kushtet janë super të mira me çka kemi punuar ne”. “Jemi si spital europian, edhe stafi punon me një devotshmëri e përkushtim shumë të madh. Madje pacientët na japin uratat që ne na bën akoma më të përgjegjshëm e të devotshëm për të punuar”, tha ajo.

Përkushtimin e mjekëve dhe kushtet e spitalit i vlerësojnë po ashtu edhe vetë pacientët. “Kushtet janë shumë të mira. Para ca vjetësh nuk kanë qenë gjë fare, thertore ka qenë poshtë. Faleminderit mjekëve”, tha një paciente. /m.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.