Vokshi: Xhaçka përdori helikopterin e Ministrisë për fushatën e PS në Dibër

TIRANË, 24 nëntor /ATSH – I. Vata/ Ish-deputetja e PD-së Albana Vokshi deklaroi sot se Olta Xhaçka përdori helikopterin e Ministrisë së Mbrojtjes për fushatën e PS në Dibër.

Në një deklaratë për mediet, Vokshi tha se, “Olta Xhaçka ka përdorur privatisht helikopterin e Ministrisë së Mbrojtjes për fushatën e partisë në pushtet. Punët personale partiake i kushtojnë shtrenjtë shqiptarëve. Udhëtimi me helikopter vajtje-ardhje nga Tirana në Peshkopi, kushton 10 mijë euro. Për të bërë fushatën e Partisë Socialiste, ajo ka futur duart në xhepin e secilit prej jush për të udhëtuar me helikopter nga Tirana në Peshkopi për disa takime partie. Gjatë këtyre orëve, pasi është publikuar video nga kolegu Xhemal Gjunkshi, janë me mijëra mesazhet e qytetarëve, që shprehin tronditjen për këtë vjedhje të hapur dhe këtë arrogancë të pafalshme të shpërdorimit të pushtetit”.

Vokshi theksoi se në këtë krizë ekonomike dhe shëndetësore për qytetarët është e papranueshme shpenzimi 10 mijë euro i ministres Xhaçka.

“Askush nuk mund ta pranojë që Olta Xhaçka të shpenzojë 10 mijë euro për një udhëtim privat me helikopter, kur më spitale njerëzit vuajnë për të gjetur një shtrat. Është një shpërdorim skandaloz, që revolton çdo qytetar, i cili harxhon 100 mijë lekë për tamponin në privat, i cili blen vetë bombolën e oksigjenit dhe që rri me frikë në zemër, se nuk ka ku të përplaset. Në vend që paratë të shpenzohen për të ndihmuar njerëzit në këtë kohë të vështirë, Olta Xhaçka përdor helikopterin e Ministrisë së Mbrojtjes për fushatën e PS në Dibër”, u shpreh Vokshi. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.