Vetëdeklarimi i burimeve të pasurisë/ OFL u dërgon formularin 3 të dënuarve për vepra penale

TIRANË, 24 Nëntor/ATSH/ Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, Operacioni Forca e Ligjit (OFL) u ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë 3 shtetasve.
Konkretisht OFL i ka nisur kërkesën F. L., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e mbetur në tentativë, F. K., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër” dhe E. M., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, e kryer në bashkëpunim.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë./k.s//a.a/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.