SHBA – Biden: John Kerry i dërguari i posaçëm amerikan për klimën

UASHINGTON, 24 nëntor /ATSH-AFP/ – Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden emëroi John Kerry-n, ish-sekretarin e Shtetit, si të dërguarin special presidencial për klimën për të udhëhequr luftën e vendit kundër ndryshimeve klimatike.

Kerry do të jetë zyrtari i parë i dedikuar për ndryshimet klimatike që do të ulet në Këshillin e Sigurimit Kombëtar (KSK) dhe roli i tij nuk do të kërkojë konfirmimin e Senatit.

“Kjo pasqyron angazhimin e presidentit të zgjedhur për të adresuar ndryshimet klimatike si një çështje urgjente e sigurisë kombëtare”, bëri të ditur ekipi i tranzicionit të Biden-it në një komunikatë ku ata njoftuan emërimin e Kerryt me zgjedhjet e tjera kryesore për politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare.

“Sekretari Kerry ngriti sfidat mjedisore si prioritet diplomatik, nga oqeanet te hidrofluorokarbonet.

“Ai ishte arkitekti kryesor i Marrëveshjes Klimatike të Parisit dhe nënshkroi marrëveshjen historike për të ulur emetimet e karbonit me mbesën e tij në prehër”, theksohet në njoftim.

“Amerika së shpejti do të ketë një qeveri që e trajton krizën e klimës si kërcënimin urgjent të sigurisë kombëtare. Jam krenar që bëhem partner me presidentin e zgjedhur, aleatët tanë dhe udhëheqësit e rinj të lëvizjes klimatike për ta marrë këtë krizë si i Dërguari i Presidentit për Klimën”, theksoi Kerry në Twitter.

Kerry, 76-vjeçar, ka udhëhequr pjesëmarrjen e SHBA-së në marrëveshjen e Parisit mbi ndryshimet klimatike në vitet 2013-2017 kur ai shërbeu si sekretar i Shtetit i administratës së ish-presidentit Barack Obama.

SHBA nën presidentin Donald Trump zyrtarisht u tërhoq nga marrëveshja më 4 nëntor, një ditë pas zgjedhjeve të vitit 2020.

Biden në mënyrë të përsëritur ka thënë se ndryshimet klimatike do të jenë midis pikave të tij kryesore të agjendës si president, duke pritur të kthehet në Marrëveshjen e Parisit./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.