Ripërdorimi shoqëror i pasurive të konfiskuara/ Projekti i financuar nga BE-ja, dëshmi sesi mund të funksionojë

TIRANË, 24 nëntor /ATSH/ Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi sot seminarin online mbi “Adresimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit nëpërmjet Ripërdorimit të Pasurive Kriminale të Konfiskuara”.

Ambasadori i BE-së Luigi Soreca ndau në këtë seminar sot rezultatet e projektit të financuar nga BE, “CAUSE”.

Falë “CAUSE”, tre ndërmarrjet e para sociale në Shqipëri janë themeluar duke përdorur pasuritë e konfiskuara nga krimi i organizuar, theksoi ai.

“Ne kemi mësuar shumë nga kjo përvojë e parë në Shqipëri dhe aktualisht jemi duke investuar në përmirësimin e kuadrit rregullator duke kontribuar në udhëzimet për përdorimin e këtyre aseteve për qëllime shoqërore dhe duke mbështetur krijimin e një Zyre për Rehabilitimin e Pasurive”, tha ambasadori i BE-së Soreca.

“Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një përparësi kyçe për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit evropian. Unë jam një mbështetës i fortë i mënyrës “ndiq paratë”, që përqendrohet te sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme, e cila ka rezultuar shumë efektive në vende si Italia”, tha ai.

“Vendime si ai i marrë javën e kaluar, që do t’u mundësojnë bashkive të përdorin apartamente të sekuestruara nga veprimtaritë kriminale për strehimin social, janë hapa në drejtimin e duhur”, theksoi Soreca.

“Delegacioni i BE-së është në ballë të kësaj agjende në Shqipëri. Për më shumë se 4 vjet ne kemi punuar për krijimin e ndërmarrjeve të para sociale të vendit që përdorin pasuritë e konfiskuara. Kjo nismë nuk ishte e re vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin. Projekti CAUSE, i financuar nga BE-ja, tregoi se kjo mund të funksionojë. Ishte një fitore e shoqërisë civile kundër krimit të organizuar, që dërgoi mesazhin e qartë se ajo që është vjedhur mund dhe duhet t’i kthehet shoqërisë”, shtoi ai.

Ndërsa ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim në seminarin e OSBE-së mbi “Adresimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit nëpërmjet Ripërdorimit të Pasurive Kriminale të Konfiskuara”, tha se qeveria e SHBA qëndron në krah të popullit shqiptar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Qeveria e SHBA qëndron në krah të popullit shqiptar në luftën tuaj kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ne do të vazhdojmë të punojmë drejtpërdrejtë me ju, me qeverinë dhe shoqërinë tuaj civile, dhe nëpërmjet partnerëve të çmuar si OSBE, për t’u përballur me këtë kërcënim kriminal së bashku dhe për të siguruar qeverisjen e mirë dhe sundimin e shëndetshëm të ligjit që vendi meriton”, theksoi Kim.

“Lufta ndaj krimit të organizuar është një përparësi kryesore për Shtetet e Bashkuara dhe forcimi i rolit të shoqërisë civile në parandalimin e korrupsionit dhe kriminalitetit shkon dorë për dore me atë përparësi. Ripërdorimi shoqëror i pasurive të konfiskuara të krimit të organizuar është një shembull i përsosur se si këto përparësi janë të ndërlidhura dhe mbështesin njëra-tjetrën”, tha Kim.

“Menaxhimi dhe përdorimi efektiv i pasurive të konfiskuara është një nga mënyrat kryesore për të siguruar që ato që i janë vjedhur shoqërisë, të kthehen. Ripërdorimi shoqëror i aseteve u dërgon një sinjal të fortë qytetarëve për forcën dhe efektivitetin e shtetit të së drejtës dhe institucioneve publike. Kjo qasje mund të krijojë biznese të qëndrueshme, të rrisë mundësitë e punësimit dhe të ndihmojë në avancimin e projekteve për të mirë shoqërore në fushat e arsimit dhe fuqizimit të të rinjve”, u shpreh ajo.

“Në këtë pikë, Shqipëria është vendi më i përparuar në Europën Juglindore kur bëhet fjalë për të vënë në praktikë kornizën legjislative për ripërdorimin shoqëror të pasurive të konfiskuara. Unë do të doja të përgëzoja Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara për punën e saj të shkëlqyeshme në këtë fushë, si dhe angazhimin e saj për bashkëpunim të ngushtë me organizatat e shoqërisë civile. Ne tashmë kemi disa shembuj të mirë ku pasuritë e krimit të organizuar u vunë në përdorim të komunitetit”, theksoi Kim.

“Përmes përpjekjeve të të gjithë aktorëve të rendit të ligjit dhe shoqërisë civile, sukseset e Shqipërisë në këtë fushë mund të shërbejnë si një model për rajonin”, tha Kim.

“Qeveria e SHBA qëndron pranë popullit të Shqipërisë në luftën tuaj kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ne do të vazhdojmë të punojmë drejtpërdrejt me ju, qeverinë tuaj dhe shoqërinë civile, dhe përmes partnerëve të paçmuar si OSBE, për të përballuar së bashku këtë kërcënim kriminal dhe për të siguruar qeverisjen e mirë dhe sundimin e shëndetshëm të ligjit që vendi juaj meriton”, përfundoi ambasadorja Kim.

Ndërsa kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Vincenzo Del Monaco, tha se, “Prezenca e OSBE-së në Shqipëri punon për të forcuar kapacitetin e përgjithshëm të agjencive shqiptare të zbatimit të ligjit, veçanërisht në fushën e hetimeve financiare, konfiskimit dhe kthimit të pasurisë së fituar përmes veprimtarive kriminale”.

“I nxis partnerët tanë shqiptarë të vazhdojnë të ecin përpara, të ndajnë historitë e tyre të suksesit, duke mësuar ndërkohë edhe nga kolegët në rajon dhe në gjithë Europën”, tha ai.

“OSBE-ja do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht veprimtaritë për forcimin e kapacitetit të përgjithshëm të agjencive shqiptare të zbatimit të ligjit, dhe veçanërisht të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Ne jemi partnerët tuaj për një kohë të gjatë dhe jemi këtu për t’ju ndihmuar”, theksoi  Del Monaco.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.