Mbyllja e shkollave/ Rama: Përgjegjësi e autoriteteve tona, masat të zbatohen rigorozisht


TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se vendimi për mbylljen ose jo të shkollave është përgjegjësi e autoriteteve tona të autorizuara që kanë të gjithë ekspertizën dhe detyrimin ligjor që të marrin vendime në këto kohë kaq të vështira.

Në konferencën e përjavshme për shtyp, ku sot ishte e pranishme ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi dhe ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, Kryeministri Rama tha se “dëshiroj t’ju përcjell juve dhe atyre që do na ndjekin në kronikat tuaja sipas të gjitha të dhënave dhe duke ndjekur të gjitha orientimet e autoriteteve  shkencore mjekësore në të gjithë vendet ne i ndjekim me shumë vëmendje për të mësuar sa më shumë, shkollat nuk konsiderohen një vatër e nxehtë, por një hapësirë që si të gjithë hapësirat e tjera kanë potencialin e tyre të rrezikut”.

Kreu i qeverisë u shpreh se “është shumë e rëndësishme që nga njëra anë është shumë e rëndësishme që masat të zbatohen rigorozisht në çdo shkollë siç po ndodhë, që personeli drejtues e pedagogjikë të jetë sa më i durueshëm dhe këmbëngulës në zbatimin e tyre”.

“Ajo çfarë kam dëgjuar në mënyrë të përsëritur nga ekspertët tanë me të cilët e kam konsultuar për të mësuar unë dhe për të mundur ta komunikoj unë këtë temë është që në vlerësimet e përgjithshme që bëhen në lidhje me shkollat, domosdoshmëria për të mbajtur një ekuilibër përmes këtij aspekti, mbrojtjes së drejtëpërdrejtë dhe asaj psikologjike të fëmijëve është në rendin e ditës në këtë vendimmarrje”, – nënvizoi Rama.

Por, vijoi Kryeministri, ky është vendim i autoriteteve, nuk më takon mua dhe askujt që edhe nga shqetësimi, pasiguria, edhe dëshira për të folur kur s’ka gjë për të thënë, jep mendime ndonjëherë edhe në mënyrë jo etike që shkollat duhen mbyllur.

“Jam shumë i vetëdjshëm, të gjithë jemi për këtë sfidë, por ajo që është e kryesore është që secili të bëjë detyrën e tij. Kemi nevojë të kapërcejmë këtë provë të madhe të karakterit të secilit dhe të karakterit tonë si komb, popull dhe shoqëri”, – tha Rama.

Kryeministri u bëri apel gjithashtu qytetarëve për zbatimin e masave për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

“Është absolutisht e domosdoshme që secili prej nesh, çdo qytetar e qytetare e këtij vendi të vetdijësohet se ka një rol për të luajtur në këto dy drejtime për të mbrojtur shëndetin e vet e të familjes së vet e të gjithë të afërmve e miqve, por duke bërë këtë jep një kontribut të jashtëzakonshëm”, – theksoi Rama.

Kryeministri u shpreh se “është i jashtëzakonshëm kontributi i gjithësecilit për të ndihmuar luftën e përditshme e përnatshme që bëhet në vijën e zjarrit aty ku trajtohen pacientët e prekur me COVID dhe që kanë simptoma të rënda, qoftë për të shmangur një mbyllje e cila do të kishte edhe pasoja të padëshirueshme në të gjitha aspektet edhe në aspektin e ekonomisë të çdo familje dhe ekonomisë së familjes sonë të përbashkët”.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.