Kuvendi në seancë plenare/ Vasili: Komiteti i Ekspertëve, zero logjikë shkencore

TIRANË, 24 nëntor /ATSH/ Seanca e radhës plenare e Kuvendit pritet të mblidhet këtë të enjte. Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili në reagim ndaj vendimit të Komitetit të Ekspertëve u shpreh se i njëjti komitet ekspertësh hapi Parlamentin, ndërkohë që mbylli universitetet.

“Dje Komiteti i Ekspertëve vendosi që Universitetet te vazhdojne online pa afat, sepse situata ishte rënduar. Sot po i njëjti Komitet Ekspertësh lejon Parlamentin të bëjë seancë plenare”, tha Vasili.

“Kur parlamenti pezulloi seancat ditë më parë në 16 nëntor rastet ishin 602 dhe humbjet e jetës ishin 8 raste, ndërsa sot rastet janë mjaft më shumë, rreth 800, dhe humbjet e jetës 19, pra dy herë e ca më e lart. Pra rritja është realisht kritike dhe e rëndë”, theksoi Vasili.

“Rritje 25% të rasteve të reja epidemiologjikisht fakt i rëndë dhe i pakalueshëm dhe vdekjet rriten me mbi 200%”, shtoi Vasili.

“Çfarë argumente shkencore dhe teknike përdor ky Komitet Ekspertësh? Asnjë argument. Zero logjikë shkencore. Zero analizë objektive dhe të paanshme. Thjesht marrin urdhrin e qeverisë e të partisë në mëngjes dhe e kthejnë në urdhërin e Komitetit të Ekspertëve”, theksoi Vasili. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.