Kuçovë/ Investimi prej 431 milionë lekësh për ujësjellësin e Lumasit, përmirësohet furnizimi me ujë për banorët

TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Investimi prej 431 milionë lekësh për ujësjellësin e Lumasit, në Kuçovë, do të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me ujë të pijshëm për banorët e disa fshatrave.
Deputetja e Partisë Socialiste në qarkun e Beratit, Ermonela Felaj, u ndal sot te disa prej investimeve që po realizohen dhe pritet të përmirësojnë ndjeshëm kushtet për banorët e Kuçovës.
“Në këto ditë kur kryefjalë është shëndeti, ruajtja dhe mbrojtja e tij, nuk duhet të ngelen pas as punë publike që janë gati për të nisur e që mezi priten nga komuniteti”, tha Felaj.
Nga investimi prej 431 milionë lekësh për ujësjellësin e Lumasit, sipas saj, do të përfitojnë banorët e Lumasit, Vodëzës, Pëllumbasit, Sheqëzës, Bardhaj, Koritëz dhe Krërz e Tapia.
“Më në fund, me banorët e Lumasit ne mbajmë një superpremtim dhe i japim kësaj njësie mundësinë, që pas më shumë se një dekade keqqeverisje sa nga zyrtarët e PD-së dhe sa nga ata të LSI-së, banorët do të shohin konkretisht se ne jemi ndryshe dhe punët që ato i lanë pas, po i ngremë një për një dhe deri në fund”, tha Felaj.
Ajo theksoi se janë çelur zyrtarisht prokurimet për rikonstruksionin e bllokut “Llukan Prifti” dhe rrugës së fshatit Magjatë në Perondi.
“Nuk do bëj koment më shumë, sepse e di sa të mirëpritura janë këto punë dhe sesa vlerë ato kanë për përmirësimin e jetës së banorëve dhe cilësisë sonë të komunikimit me to”, tha Felaj. /m.m/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.