Kthimi i ligjit “Për Policinë” nga Meta/ Lleshaj: Lëvizje politike, ligji është konsultuar me partnerët ndërkombëtarë

TIRANË, 24 nëntor /ATSH/ -Ministri i brendshëm, Sandër Lleshaj deklaroi sot se qeveria do të shtyjë afatin e punës për operacionin “Forca e Ligjit”.

Në prag të përfundimit të vlefshmërisë së Aktit Normativ, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, deklaroi në një intervistë televizive se, “ligji do të amendohet”.

“Praktika e këtyre muajve dhe ngarkesa e madhe që solli pandemia ka ndryshuar disa nga supozimet bazë dhe do të na duhet ndoshta që të mendojmë një amendim të ligjit. Do të kërkohet një shtyrje e afatit të vlefshmërisë së ligjit, që të paktën procedurat që tashmë janë pranë gjykatës të mund të mbyllen. Do të lihet pak kohë, do të kushtëzohen me mbylljen e çdo procesi të nisur”, tha Lleshaj.

Sa i përket rasteve të dorëzimit të kërkesave nga OFL, Lleshaj tha se, “OFL ka punuar mbi bazën e informacionit”.

“Së pari, ka identifikuar të gjithë personat që janë subjekt i ligjit. Të gjithë personat që janë dënuar për një vepër penale që është parashikuar nga ligji si e tillë. Pastaj në bashkëpunim me agjencitë e tjera ka identifikuar pasuritë e këtyre individëve apo personave të lidhur me ta dhe pasi ka bërë këtë analizë, e cila ka kërkuar shumë punë, ka filluar rast pas rasti pastaj procedurat. Për çdo rast janë disa qindra faqe dokumenta të mbledhura për t’u paraqitur në gjykatë”, shpjegoi Lleshaj.

Lleshaj tha se, “SPAK ka refuzuar dhe ka kthyer mbrapsht një numër të vogël rastesh, ose për plotësim, ose ka patur raste që i ka refuzuar kur ka konstatuar anomali, kur ka konstatuar që të ardhurat justifikojnë pasurinë. Por në thelb është bërë një punë shumë e thellë për mbledhjen e informacionit. Kanë punuar me dhjetëra agjenci të shtetit shqiptar”.

Në lidhje me kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit për “Policinë e Shtetit” nga ana e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, Lleshaj tha se, është lëvizje politike që kërkon të mbajë ndezur konfliktin politik të presidencës me qeverinë.

“Do të ishte lajm nëse Presidenti do ta kishte miratuar ligjin, duke marrë në konsideratë faktin që tashmë Presidenti i kthen të gjitha ligjet që i shkojnë nga Kuvendi i Shqipërisë. Kthimet nuk përbëjnë më lajm për arsye se është kthyer në një procedurë standarde refuzimi i ligjeve që Parlamenti i dërgon Presidentit”, theksoi Lleshaj.

Sipas ministrit, ligji është konsultuar me partnerët ndërkombëtarë dhe nuk synon të përgjojë qytetarët.

“Ndryshimet e bëra vetëm synojnë t’i japin Policisë disa instrumente që i kanë munguar e që policitë e tjera i kanë natyrshëm në arsenalin e kapaciteteve në dispozicion”, theksoi Lleshaj.

Lleshaj shtoi se ndryshimet i kanë dhënë Policisë disa atribute elementare siç është ai i mbikqyrjes.

“Nuk bëhet fjalë për përgjim, bëhet fjalë për mbikqyrje vizuale. Përgjim do të thotë të përgjohet përmbajtja e bisedave dhe kryesisht termi përgjim përdoret për komunikimin. Ky ligj bën fjalë vetëm për mbikqyrjen vizuale, e cila “de facto” ndodh”, tha Lleshaj. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.