IATA: Të ardhurat e kompanive ajrore në rënie mbi 60% në 2020

PARIS, 24 nëntor /ATSH-AFP/ – Të ardhurat e kompanive ajrore do të ulen më shumë se 60% në 2020 në raport me 2019 për të arritur në 328 miliardë dollarë, viti më i keq i përjetuar ndonjëherë nga sektori ajror, i godituar nga kriza e COVID-19, njoftoi sot Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA).

“Kriza e COVID-19 ka kërcënuar mbijetesën e industrisë së transportit ajror dhe librat e historisë do ta kujtojnë vitin 2020 si viti më i keq financiar për sektorin i cili ka ulur kostot me një mesatare prej një miliard dollarë në ditë në vitin 2020 dhe do të vazhdojë të akumulojë humbje të pazakonta”, theksoi organizata, e cila bashkon 290 linja ajrore, me rastin e asamblesë së përgjithshme.

IATA parashikon humbje neto prej 118,5 miliardë dollarë për sektorin në 2020 nga 84,3 miliardë dollarë vlerësuar në qerdhor dhe humbje neto prej 38,7 miliardë dollarë për 2021, përsëri një shifër më e ulët se ajo e pritur në qershor (15,8 miliardë dollarë) , para shfaqjes së valës së dytë të koronavirusit.

“Kjo krizë është shkatërruese dhe e pamëshirshme”, theksoi drejtori i përgjithshëm i IATA-s, Alexandre de Juniac, cituar në një njoftim për shtyp.

“Kufijtë duhet të rihapen pa masa karantine në mënyrë që pasagjerët të mund të fluturojnë përsëri.

“Linjat ajrore duhet të vazhdojnë të mundësojnë likuiditetet e tyre të paktën deri në tremujorin e katërt të 2021, kështu që nuk ka kohë për të humbur”, shtoi Juniac./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.