TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ “Komiteti Teknik i Ekspertëve asnjëherë nuk është marrë me shifrat e fataliteteve nga COVID-19 dhe asnjëherë nuk e ka diskutuar si çështje”.
Kështu u shpreh sot në një studio televizive, anëtarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, mjekja pediatre, Gjeorgjina Kuli-Lito, e cila iu referua debatit për numrin e viktimave nga COVID-19 në Shqipëri.
”Duhet të sqaroj për publikun, që Komiteti asnjëherë nuk është marrë me shifrat e vdekjes, të japë informacion për fatalitetet, apo të përpunojë. Ne kemi të njëjtin burim informacioni për fatalitetet, si për popullatën, kalon nga drejtoria e QSUT, INSTAT. Këto janë shifra zyrtare, nuk i përpunojmë vlerat e fataliteteve, apo edhe vlerat e testimeve, apo rasteve pozitive. Thjesht bëjmë analizën, pse ka arritur ky pik, çfarë teknikash shkencore duhen përdorur për t’u ndaluar infektimet”, tha ajo.
Si mjeke kliniciste, ajo tha se vlerëson punën e kolegëve dhe ka besim të plotë tek vlerësimi i kolegëve për shkakun e vdekjes. “Shkaku i vdekjes përcaktohet tek kartela klinike. Ka diagnozën fillestare, të përkohshme, dhe përfundimtare. Kjo bëhet edhe në konsultë. Evidencat janë kartelat klinike në duart e mjekëve, në drejtorinë e Statistikave, INSTAT”, tha ajo.
Kuli-Lito tha se “numri i fataliteteve është në proporcion me numrin e shtrimeve dhe infektimeve”./m.m/j.p/r.e/