“E kaluara e Bashës e dyshimtë”/ Topalli: Vazhdon të mbajë peng karrigen e PD

TIRANË, 24 nëntor /ATSH – I. Vata/ Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli deklaroi se ka pasur dyshime për të kaluarën e kreut të PD-së Lulzim Basha.

“Po ta dija tamam do ta kisha thënë. Gjatë të gjithë këtyre viteve kam patur shumë dyshime mbi të kaluarën e tij. Ka qenë gjithmonë shumë e paqartë. Nuk e kam kuptuar kurrë se cila ka qenë e kaluara e tij përpara se të vinte në Shqipëri”, tha Topalli gjatë një interviste televizive.

Topalli e cila ka krijuar lëvizjen e re politike “Lëvizja për Ndryshim” për të garuar në zgjedhjet e 25 prillit, tha se Basha mban peng karrigen e kryetarit të PD-së.

“Fakti që Basha qëndron në karrigen e PD-së është axhenda e karriges së tij, por nuk është axhenda e shqiptarëve. Nuk e kuptoj as sot sepse një njeri që ka dështuar në çdo gjë duhet të vazhdoj të mbaj peng karrigen e asaj që ka qenë forca politike e ëndrrave  të shqiptarëve. Po ta dija do e kisha thënë. Sigurisht që mendoj shumë gjëra, por unë nuk dua të nxitohem”, – tha Topalli.

Topalli apelon se forcat politike duhet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën përsa i përket pandemisë.

Topalli tha se “ajo që po jetojmë ne është një stres shumë i madh është një krizë shëndetësore që në fakt është në shkallë globale dhe ne si shqiptarë jetojmë pjesën e pasigurisë dhe të paqartësisë çfarë do ndodhë me shtetin tonë. Në kushte të tilla kur spitalet, Qendrat Shëndetësore janë në një presion të madh për shkak të shkallës së infeksionit, por dhe të rritjes së humbjes së jetëve, sigurisht presioni është i madh. Do kisha dashur që forcat politike të bashkëpunojnë për të gjetur rrugën më të mirë për të punuar së bashku”.

“Nuk ndahemi të majtë të djathtë përballë pandemisë, sepse jemi të gjithë të pasigurt dhe të pambrojtur dhe po përjetojmë momente të vështira. Shqipëria nuk është në gjendje për të përballuar një situatë të tillë pasi dhe vende të tjera janë gjunjëzuar përballë pandemisë me struktura moderne”, tha ajo. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.