TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, zhvilloi një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Bledar Skënderi, mbi forcimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve.
Gjatë këtij takimi, bashkëbiseduesit u dakordësuan për një angazhim të shtuar për rritjen e sigurisë ushqimore në degët doganore, sidomos ato kufitare.
“Krerët e dy institucioneve diskutuan dhe për shkëmbimin e informacionit në kohë reale, për sa i përket ngarkesave që mbërrijnë në vendin tonë, të cilat janë lajmëruar nga vendet anëtare të BE-së që mund të jenë me rrezik për shëndetin e qytetarëve, apo që nuk duhet të hyjnë brenda territorit shqiptar”, bën të ditur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave vlerëson shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me të gjitha agjencitë ligjzbatuese, sidomos në pikat kufitare./a.gjonaj//a.a/