COVID-19 – Rritet presioni mbi shërbimet mjekësore, Suedia ashpërson masat

STOKHOLM, 24 nëntor /ATSH/ – Rritja e shpejtë e rasteve të reja të infektimit me COVID-19 dhe presioni mbi shërbimet mjekësore e shtynë qeverinë suedeze të marrë masa më të rrepta, që përfshijnë ndalimin e shitjes së alkoolit në nivel kombëtar pas orës 22:00 në bare dhe restorante, sipas “NBC News”.

Gjithashtu, duke filluar nga sot, numri i personave që mund të grumbullohen në publik ulet në tetë nga 50.

“Sonte, në fund të nëntorit 2020, është e qartë se do të duhet pak kohë para se të mund të kthehemi në normalitet,” tha kryeminitri Stefan Löfven në një fjalim televiziv.

“Shumë i kanë lënë pas dore këshillat gjatë vjeshtës. Të gjitha gjërat që dëshironi të bëni, por që nuk janë të nevojshme, anulojini, shtyjini”, shtoi ai.

Qeveria qendrore lëshoi ​​një rekomandim për qeveritë rajonale këtë muaj, për t’i këshilluar banorët të shmangin mbledhjet publike, si koncerte, shfaqje teatrore dhe leksione.

Rekomandime të veçanta lokale, përfshirë shmangien e transportit publik dhe dyqaneve, janë gjithashtu në fuqi në pjesën më të madhe të vendit./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.