COVID-19/ Fico: Vijojmë të monitorojmë aspekte të caktuara për mortalitetin

TIRANË, 24 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico deklaroi sot se “politika duhet të tërhiqet disa hapa pas për të lënë në këtë moment të vështirë, shashkat”.

E ftuar në një studio televizive, Fico foli mbi debatin e krijuar së fundmi lidhur me fshehjen e numrit të fataliteteve nga COVID-19.

“Çdo gjë e thënë, e pafaktuar është shumë e vështirë. Kushdo që bën biznes me vdekjen, apo llogarit vdekjen si armë për të fituar avantazh politik nuk ia del. Njerëzit që humbasin jetën në spitale raportohen në institucionet përkatëse, ata që humbasin jetën në shtëpi raportohen direkt te gjendja civile. Ne vijojmë të monitorojmë aspekte të caktuara për mortalitetin”, tha ajo.

Fico tha se vihet re se në Shqipëri, sidomos në tremujorin e 3-të, krahasuar me vitet e tjera nuk ka fshehje të numrit të viktimave nga COVID-19, por ekses apo tepri.

“ISHP për këtë çështje i është drejtuar INSTAT me kërkesë që në shtator. Mendoj se ka disa arsye pse në tremujorin e 3-të të 2020 është rritur ndjeshëm numri i viktimave, jo vetëm nga COVID-19. Kemi pandeminë, një rritje e vogël për luhatjet e pritshme që janë 2-4 %, dhe 1-2% që vjen prej plakjes së popullatës. Ndërkohë që kemi dhe elementët e tjerë, që kanë të bëjnë me vdekjet të cilat janë të pritshme prej dëmeve nga virusi. Fakti që nga mbyllja e parë kishim problematikë në raport me shtrimet spitalore dhe një sërë të sëmurësh kronikë patën  frikë për të shkuar në spital, dhe kujdesi për shëndetin qoftë prej frikës nga COVID-19 pësoi disa gjëra”, tha ajo.

Po ashtu, Fico tha se “kemi dhe një sërë bashkëatdhetarësh që kanë humbur jetën jashtë, dhe janë çregjistruar këtu në Shqipëri. Kam dy raste familjare të tilla”.

“Në fakt për periudhën korrik-shtator është tek 25.8%. Vdekjet janë ato që janë, raportohen”, tha ajo.

Lidhur me vaksinën, Fico tha se “po shikojmë edhe mundësinë përmes Çekisë apo Italisë, që në rast se nuk funksionon COVAX, të funksionojmë nëpërmjet këtyre dy shteteve që kanë tagrin që të delegojnë.

Lidhur me situatën nga pandemia, Fico tha se “ne kemi një nivel rreziku të shtuar për arsye të shtimit të rasteve ditore, shtimit të numrave spitalore dhe për rrjedhojë shtimin e rasteve të rënda në reanimacion, të intubuara dhe humbjeve të jetës”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.