Basha, bashkëbisedim me mjekë: Garancia për sukses, trajtimi me seriozitet i paralajmërimeve dhe kërkesave tuaja

TIRANË, 24 nëntor /ATSH – I. Vata/ “Prokuroria të hetojë fshehjen e numrit të viktimave COVID-19”, deklaroi sot kryetari i PD-së, Lulzim Basha, gjatë një bashkëbisedimi me një grup mjekësh për situatën e pandemisë COVID-19.

Në takim me mjekët, Basha tha se do këtë mbështetje maksimale për ta, infermierët, për të gjithë stafin shëndetësor. “Nëse ka një garanci për t’u përballur me sukses në këtë betejë, kjo është trajtimi me seriozitet i paralajmërimeve dhe kërkesave tuaja dhe pajisja juaj me gjithçka që shteti mund t’ju pajisë”, theksoi Basha.

“Do ketë kohë për të nxjerrë përgjegjësitë ligjore, morale apo politike. Tani është momenti për të marrë përgjegjësitë me të cilat vjen detyra që ke përsipër, si mjek, si infermier, si mësues, si punonjës i policisë, si kryetar i opozitës, dhe mbi të gjitha si kryeministër”, vuri në dukje ai.

Po ashtu, Basha shtoi se “ata që humbin jetën sipas denoncimeve të ardhura nga mjekët janë shumë më shumë nga ata që raportohen zyrtarisht. Kësaj i thonë të fshihesh pas gishtit dhe do të thotë me mbajtjen ulët të numrit të testimeve e cila sjell si pasojë përhapjen më të madhe dhe të shpejtë të infeksionit, që pastaj sjell si pasojë kolapsin e sistemit shëndetësor”.

“Mbështetje totale, të menjëhershme siç e kam deklaruar dhe që është produkt i punës së përbashkët në dialog me ju, me paketat për rrogat për mjekët dhe infermierët në nivelin të paktën që ka rajoni. Të ndërtojmë një sistem ku dhe pacienti të shërbehet pavarësisht prej mundësive apo pamundësive ekonomike dhe mjekët e infermierët të ndjehen dinjitozë në punën e tyre, pasi po sakrifikojnë gjithçka edhe jetën”, tha Basha. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.