Akuzat e opozitës për fshehje të viktimave nga COVID/ Nikolla: Thellësisht politike, nuk mund t’u hyjmë në hak mjekëve

TIRANË, 24 nëntor /ATSH/ Zëvendësministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albert Nikolla, deklaroi sot se çështja që ka ngritur opozita për numrin e viktimave nga COVID-19 është thellësisht politike.

“Asnjë epidemi nuk ka pasur këtë impakt dramatik të një mbylljeje të përbotshme si kjo”, u shpreh Nikolla në një intervistë televizive.

“Ministria e Shëndetësisë ka strukturën e vet të informacionit që merr informacionet nga strukturat përkatëse për vdekshmërinë e COVID. Këto vijnë nga spitalet, nga mjekët e familjes, nga rrethet, kudo që ka vdekje dhe ne ia transmetojmë në mënyrë transparente publikut sa janë vdekje, sa janë të sëmurë. Kjo është struktura e informacionit”, tha Nikolla.

Ai u shpreh se janë mjekët ata që përcaktojnë shkakun e vdekjes dhe se kjo është çështje teknike.

“Çështja e vdekjeve është teknike. Unë nuk merrem me çështje teknike. Merret mjeku përkatës. Mjekut përkatës atje nuk mund t’i thuash ti e ka bërë mirë apo keq. Kur vdes një person, mjeku e shënon se pse vdiq. Nuk mund t’i hyjmë në hak mjekut ne”, theksoi Nikolla.

Nikolla tha se kjo çështje është thellësisht politike dhe se viktimat nuk mund të fshihen për dy arsye bazike.

“Çështja është thellësisht politike, sepse në vend që të jetë një opozitë ndërtuese, thotë që fshihni viktimat. Po viktimat nuk mund të fshihen dhe po të them dy arsye bazike. E para, është arsye ligjore dhe arsye e fortë morale. Kur je politikan, ke ngarkesë të fortë ligjore dhe morale. Si mund të fshehësh viktimat? E dyta, është teknikisht e pamundur të shkosh të fshehësh viktimat. Është mendësi varrmihësi, që thotë unë duhet të kem sa më shumë të vdekur se marr lekë. Pra është mendësi varrhmihëse kjo që të thuash po fsheh viktimat”, tha ai. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.