“75.8 miliardë lekë të destinuara për arsimin”/ Kushi: Nga 46 136 në 2013, rritja e pagave për mësuesit 74 mijë në 2021

TIRANË, 24 nëntor /ATSH – I. Vata/- “Bankës Botërore vlerëson Shqipërinë si një ndër 10 vendet me përmirësimin më të madh në arsim nga 174 vende”.

Kështu deklaroi ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi në konferencën e përjavshme për shtyp, ku pranishëm ishte dhe kryeministri Rama dhe ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj.

“Raporti më i fundit i Bankës Botërore i muajt shtator e vlerëson Shqipërinë si një ndër 10 vendet me përmirësimin më të madh në arsim dhe Shëndetësi. Një vlerësimin që është bërë midis 174 vendeve nga e gjithë bota. Ndërkohë dhe në testin PIZZA, Shqipëria në kohët e fundit ka pasur rritje në krahasim me vendet e rajonit po dhe me shumë vende të tjera europiane”, tha ajo.

Duke u ndalur tek buxheti 2021 Kushi tha se, “ka një rritje të konsiderueshme, 41.1 miliardë në vitin 2013, por ta krahasojmë rritjen në gjithë këto vite tani ne kemi 75.8 miliardë lekë të destinuara për arsimin”.

“Po të bëjmë  një llogari me PBB, këtë vit në vitin 2021 kjo përqindje do jetë 4.51% e PBB, natyrisht duke përfshirë rritjen e pagave dhe buxhetin e rindërtimit për shkollat e dëmtuara nga tërmeti”, tha ajo.

Më tej Kushi tha se rritja e pagave është një nga lajmet më të mira që sjellë ky buxhet.

“Nuk është hera e parë pasi edhe në vitin 2017 edhe në vitin 2019 ne jemi konsistent në premtimin tonë për t’i rritur pagat e mësuesve dhe  gjithë punonjësve arsimor por sidomos në këtë situatë ku mësuesit pas mjekëve dhe infermierëve janë heronjtë e ditës”, tha Kushi.

“Dua ta theksoj edhe një herë se në vitin 2017 paga e mësuesve u  rrit me 10%, në 2019 me 6 % dhe në vitin 2021 me 15%. Po të bëjmë një krahasim  sa ka qenë paga e një mësuesi në vitin 2013 dhe sa është sot duket ndjeshëm ndryshimi. Nga 46 136 në vitin 2013 sot paga do jetë 57 451. Ndërsa po t’i referohemi pagës bruto nga 60 mijë, paga bruto bëhet 74 mijë”, tha ajo.

Kushi tha se një nga arritjet më të mëdha është portali “Mësues për Shqipërinë” i cili është vlerësuar edhe nga Këshilli i Europës dhe është sugjeruar si një model pozitiv edhe për vendet e tjera të rajonit.

“Portali siguron jo vetëm transparencë dhe efikasitet por sidomos meritokracinë në punësimin e mësuesve. Kemi një numër në rritje të punonjësve të arsimit sipas portalit që tregon se portali funksionon më së miri dhe rezultatet i shohim në rritjen e cilësisë së mësimdhënies. Natyrisht bashkë edhe me trajnimin e mësuesve, por po ashtu edhe me projektin më të fundit Shkolla e Drejtorëve e cila po funksionon shumë mirë për ata mësues që do drejtojnë shkollat”, tha ajo.

Ajo tha se një tjetër politikë që është mirëpritur nga shqiptarët janë tekstet falas që nga viti në vit zgjerohet gama e përfituesve.

“Në fillim përfituan nxënësit e arsimit fillor nga klasa e parë në të katër, pastaj u shtua klasa e pestë dhe këtë vit kemi parashikuar me buxhetin e ri të përfshihet dhe klasa e 6-7 me qëllimin që deri në fund vitin tjetër të përfshihen dhe klasat e 8 dhe të 9-ta, pra për të përfshirë të gjithë ciklin e arsimit bazë. Numri i përfituesve është 250 mijë nxënës, këtu përfshihen nxënësit nga klasa e 1-7-të por dhe nxënës të kategorive të veçanta”, tha Kushi. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.