72 shtretër e dyshekë ortopedikë për spitalin rajonal të Gjirokastrës/ Donacion i ministrit Çuçi dhe mjekut gjerman Schnatmann

TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Me iniciativën e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, njëkohësisht deputet i qarkut Gjirokastër, Bledi Çuçi, dhe ndihmën e çmueshme të mjekut nga Dortmundi, dr. Heinrich Schnatmann, u shpërnda sot një donacion i rëndësishëm për spitalin rajonal “Omer Nishani”.

Çuçi informoi se “dhuruam një set me 72 shtretër e dyshekë ortopedikë, si dhe komodina që do të jenë në dispozicion të pacientëve”.

“Spitali i Gjirokastrës është shumë i rëndësishëm, pasi mbulon nevojat për shërbim mjekësor të banorëve në jug të vendit. Mjekët këtu kanë bërë e po bëjnë një punë të jashtëzakonshme, sidomos në këto kohë të vështira pandemie, por pa patur infrastrukturën e nevojshme natyrisht që nuk mund të japin dot maksimumin e tyre”, tha Çuçi.

Ai theksoi se “këtë iniciativë si deputet i qarkut, do ta vazhdojë edhe me spitalin e Tepelenës e Përmetit, të cilët ndonëse kanë kapacitete më të vogla në krahasim me Gjirokastrën, do duhet të jenë të kompletuar me infrastrukturën e domosdoshme dhe të kohës për t’u shërbyer pacientëve”.

“Falënderoj pa masë Dr. Heinrich Schnatmann, për gatishmërinë e menjëhershme që tregoi pas kërkesës time për ndihmë, si dhe Ministrinë e Shëndetësisë që mundësoi transportin e këtij seti”, tha Çuçi.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.