Vetëdeklarimi i burimeve të pasurisë/ OFL u dërgon formularin 5 të dënuarve për vepra të rënda penale

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit. Gjatë 24-orëve të fundit, OFL u ka dërguar formularin e vetëdeklarimit të pasurisë pesë personave, të dënuar për vepra të renda penale.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: B. H., banues në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal”, “Vjedhja me dhunë” kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe “Vjedhja”;S. Q., banues në Tepelenë, i dënuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”;M. L., banues në Tepelenë, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”;S. H., banues në Tepelenë, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”; G. Ç., banues në Gjirokastër, i dënuar për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.