Ruçi pret Del Monaco: OSBE kontribut në zbatimin e reformave në fushat kyçe

TIRANË, 23 nëntor /ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti kryetarin e ri të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Vincenzo Del Monaco, me rastin e fillimit të misionit të tij në Shqipëri.

Kryetari i Kuvendit Ruçi e uroi kryetarin e Prezencës, Del Monaco për detyrën e re në Shqipëri dhe vuri në dukje se Kuvendi i Shqipërisë ka një bashkëpunim shumë të mirë me Prezencën e OSBE-së në Tiranë, e cila  është një partner i besueshëm për Shqipërinë.

“Shqipëria vlerëson punën e Prezencës së OSBE në Shqipëri. Prezenca ka bërë një punë të mirë ndër vite në mbështetje të reformave gjithëpërfshirëse të Shqipërisë dhe të axhendës për modernizimin e shoqërisë shqiptare, në përputhje me nevojat e përparësitë e vendit”, tha Ruçi.

“Ne vlerësojmë në veçanti kontributin e OSBE dhe të Prezencës në Tiranë në zbatimin e reformave në fushat kyçe, siç janë forcimi i demokracisë dhe institucioneve ligjzbatuese, reforma zgjedhore, reforma në drejtësi, e cila është aktualisht kryereforma jonë, si edhe reformat integruese, në bashkëpunim të ngushtë edhe me BE dhe partnerët ndërkombëtarë. Për reformën zgjedhore arritëm konsensusin më të mirë të mundshëm dhe tashmë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon normalisht punën”, theksoi Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Kryetari i Prezencës së OSBE-së, Vincenzo Del Monaco, falenderoi Kryetarin e Kuvendit Ruçi për vlerësimet e larta për punën e OSBE-së dhe të Prezencës së saj në Tiranë.

“Unë jam i vendosur të vazhdoj bashkëpunimin shumë të mirë me Kuvendin dhe institucionet e tjera shqiptare për çuarjen më tej të arritjeve të deritanishme  si edhe ndërtimin dhe forcimin e besimit te ky bashkëpunim, i cili po fuqizohet në mënyrë krijuese”, theksoi Kryetari i Prezencës, Del Monaco.

Gjatë takimit u diskutua edhe mbi disa aspekte të tjera të bashkëpunimit si Presidenca shqiptare e OSBE-së dhe bashkëpunimi i ngushtë midis Kuvendit dhe OSBE-së, sidomos për përshtatjen e veprimtarisë parlamentare në kushtet e pandemisë së COVID-19 dhe garantimin e transparencës dhe komunikimit me median e publikun.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.