Rizgjidhet kryetare e LSI/ Kryemadhi: Duhet t’u ofrojmë shqiptarëve shpresën që u mungon

TIRANË, 23 nëntor /ATSH/ Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi falënderoi sot në një dalje për mediet anëtarët e LSI për rizgjedhjen e saj në krye të partisë.

“Dua t’iu falënderoj për gjithë përkushtimin, për gjithë vendosmërinë dhe rezistencën, për qëndresën shembullore, por edhe për të gjithë respektin dhe dashurinë që ju më falët në zgjedhjet e 21 nëntorit, të ditës së shtunë, me një anëtar një votë, në Lëvizjen Socialiste për Integrim”, tha Kryemadhi.

“Pjesëmarrja juaj në zgjedhje ishte një manifestim i shkëlqyer solidariteti dhe besimi. Pjesëmarrja juaj në zgjedhje është një mesazh përgjegjësie dhe angazhimi. Pjesëmarrja juaj në zgjedhje është tashmë një sfidë e fituar, së pari me vetveten në një proces rindërtimi e vetëpastrimi, çka më bën mua sot, kryetaren më të nderuar, sepse kam nderin që të kem në krah njerëz të ndershëm, jo vetëm në partinë tonë, por njerëz që punojnë më përkushtim dhe e duan vendin e tyre”, theksoi Kryemadhi.

Ajo shtoi se, sot është vetëm fillimi. “Ne jemi të vetëdijshëm për vështirësitë e mëdha që na presin, por ne jemi mësuar tashmë me vështirësitë, sepse ato kanë qenë sfida jonë, sepse ne prandaj jemi bashkë që të fitojmë mbi të gjitha sfidat që i kanë dalë përpara LSI-së. Dhe që të fitojmë mbi vështirësitë, ne duhet t’u ofrojmë shqiptarëve shpresën, atë shpresë që u mungon, atë shpresë e cila i është grabitur dhe vrarë nga qeveria pseudo rilindase”, tha Kryemadhi.

“Ne e kemi për detyrë t’ua kthejmë shqiptarëve shpresën dhe dimë ta bëjmë këtë gjë, sepse ne do të krijojmë vende të reja pune, sepse ne do të ndihmojmë familjet të menaxhojnë kostot e jetesës, të cilat kjo qeveri i ka rritur çdo ditë e më shumë. Ne do të dimë të garantojmë për fëmijët e shqiptarëve që të kenë një arsim të mirë dhe cilësor, në mënyrë të tillë që të gjejnë vende pune me pagë të mirëpaguar. Ne do të bëjmë të mundur që çdo shqiptar të ndjehet ë Shqipëri si në shtëpinë e tij”, shtoi ajo.

Unë sot jam e lumtur që LSI vazhdon të jetë partia e të rinjve. Sepse ne nuk themi vetëm që rinia jonë ka nevojë për më shumë mundësi, por ne u japim më shumë mundësi të rinjve tanë. Ne u krijojmë mundësi të rejave dhe të rinjve tanë. Ne u krijojmë shkollim të mirë dhe cilësor, në mënyrë të tillë që ata të gjejnë një vend pune të mirëpaguar, një vend pune në tregun e punës, në të cilin paguhen si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre europianë. Ne u krijojmë mundësi të gjithë qytetarëve shqiptarë për të qenë qytetarë dinjitozë në shtëpinë e tyre që është Shqipëria, si çdo qytetar europian”, theksoi Kryemadhi. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.