Manastirliu, apel qytetarëve: Sot është dita kur duhet të peshojmë mirë çdo veprim tonin

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, u bëri apel qytetarëve që sot më shumë se kurrë secili të marrë përgjegjësinë, për të parandaluar përhapjen e infeksionit të COVID-19.
“Sot në Shqipëri u shënua numri më i lartë ditor i viktimave nga Covid-19. Një fakt që reflekton shtimin e numrit të të infektuarve gjatë javëve të fundit”, – tha ministrja Manastirliu.
Sipas saj, armët që ka sot e gjithë bota janë zbatimi i tre rregullave.
“A po i zbatojmë ato, për të mbrojtur veten, për të mbrojtur njerëzit e dashur dhe për të treguar solidaritetin me autoritetet shëndetësore, në këtë luftë të paprecedentë për jetën?
Pyeteni veten ju lutem, çdo herë që dilni nga shtëpia: A jam duke i përdorur këto armë? Shkujdesja, shpërfillja dhe mohimi janë aleatët më të mirë të Covid-19. Sot është dita kur duhet të peshojmë mirë çdo veprim tonin, për të mos i hapur rrugë virusit të rrezikshëm, për të mos e lejuar të na dëmtojë njerëzit e dashur”, – nënvizoi Manastirliu.
Ministrja u shpreh se “ne do të vazhdojmë të bëjmë maksimumin që mundemi, duke mos kursyer asgjë nga kapacitetet tona, të cilat siç e dini, nuk janë të pafundme”.
“Por siç e kam përsëritur me dhjetëra herë: Përhapja e virusit nuk parandalohet në spitale. Atë e ka në dorë gjithësecili prej jush”, – tha Manastirliu.
/k.s/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.