LONDËR, 23 nëntor /ATSH-AFP/ – Kryeministri britanik, Boris Johnson do të detajojë sot planin e tij për kufizimet lokale kundër koronavirusit të ri, që do të zëvendësojë izolimin në Angli në fillim të dhjetorit dhe do të bazohet në vendosjen e një depistimi masiv.
“Në Angli (…), rritja e rasteve të reja është ngadalësuar”, theksoi Boris Johnson në një komunikatë.
“Ne ende nuk kemi dalë nga situata e vështirë (…) por me zgjerimin e testimit dhe vaksinat që po i afrohen fazës së vendosjes, sistemi i kufizimeve lokale sipas niveleve do të ndihmojë në mbajtjen nën kontroll të virusit”, theksoi ai.
Sipas medias, lideri konservator do të njoftojë pasdite para deputetëve rihapjen e dyqaneve jothelbësore, të pub-eve dhe restoranteve nga 3 dhjetori, një nxitje për ekonominë, shumë e dobësuar nga pandemia.
Kufizimet pritet të zbuten për disa ditë gjatë Krishtlindjeve dhe diskutimet po vazhdojnë mes qeverisë dhe autoriteteve në Skoci, Uells dhe Irlandën e Veriut në përpjekje për të pasur një qasje të unifikuar./ /ec/