Buxheti 2021/ 28 miliardë lekë për Programin e Rindërtimit

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ Në buxhetin e shtetit për vitin 2021, rindërtimi pas tërmetit të fortë që goditi vendin tonë një vit më parë do të marrë një mbështetje prej 28 miliardë lekësh.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri të ditur se puna për rikonstruksionin e shtëpive të dëmtuara, banesave kolektive, shkollave të reja, infrastrukturës ka nisur dhe mbështetja e qeverisë nuk do të mungojë as vitin tjetër. Gjatë vitit 2021, tha ajo, parashikohet një fond prej 28 miliardë lekësh nga buxheti i shtetit.

Rindërtimi vazhdon çdo ditë në të katër programet, banesat individuale, grantet e rikonstruksionit, objektet arsimore dhe themelet e para të pallateve të ndërthurura me infrastrukturën e lagjeve të reja.

Ndërkohë, 1 mijë familje do të mund të futen në banesat e tyre të reja të rindërtuara brenda datës 31 dhjetor të këtij viti. Po vijon edhe dhënia e granteve të rindërtimit, duke ndihmuar familjet për tu rikthyer në shtëpitë e tyre, aty ku dëmtimet janë të riparueshme. Në disa prej bashkive të prekura nga tërmeti ka nisur edhe ndërtimi i banesave kolektive, si në Tiranë apo Durrës.

Në total qeveria shqiptare planifikon të shpenzojë nga buxheti i shtetit 65 miliardë lekë përgjatë tre viteve 2020-2022./a.gjonaj//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.