VIDEO/ Këshillat e psikologes: Si të përballemi me COVID- 19

TIRANË, 19 nëntor/ATSH – Bledi Naska/-Pandemia ka shkaktuar jo pak pasoja psikologjike te qytetarët, veçanërisht tek ata të cilët janë prekur nga COVID-19.

Gjatë një interviste për ATSH, psikologia Aljona Jonuzi jep disa këshilla të vlefshme për qytetarët në mënyrë që ata të jenë të parapërgatitur përballë kësaj sëmundjeje.

Jonuzi thekson se “është shumë e rëndësishme edhe faza parë, kur ne jemi në gjendje ankthi duke pritur se çfarë do të na ndodhi. Në momentin që jemi me ankth, imuniteti automatikisht bie. Kur imuniteti bie, mund të na kapi vërtetë COVID-i. Në momentin që personat janë infektuar, u ka rënduar më shumë fakti që duhet të izolohen”.

“Është shumë e rëndësishme që të kemi bashkëpunim me anëtarët e tjerë të familjes, për një shëndet mendor më të qetë, pra të ruajmë qetësinë. Mos të kalojmë në atak paniku ose mendime negative. Të mundohemi pavarësisht tunelit të zi që ne jemi duke kaluar, të shohim atë dritën jeshile sado e vogël ajo të duket në këto momente. Të mendojmë që dy javë do kalojë shumë shpejt dhe do të rimarrim veten”, këshillon ajo për personat e karantinuar.

Gjatë periudhës që jemi të prekur nga COVID-19, sipas psikologes “është e rëndësishme pjesa e meditimeve që ndihmojnë shumë personat që të bëjnë vizualizime të ndryshme, meditime dhe të fokusohen tek shëndeti. Duhet të bëjmë terapi me veten. Joga edhe sporti janë jashtëzakonisht efikase”.

Psikologja gjithashtu vë theksin tek efektet anësore që mund të kemi nga kurat dhe medikamentet e ndryshme që pacientët e prekur nga koronavirusi përdorin.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.