Unifikimi i alfabetit të gjuhës shqipe/ 112 vjet nga Kongresi i Manastirit

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/- 112 vjet më parë në Kongresin e Manastirit u unifikua alfabeti i gjuhës shqipe.

Kongresi i Manastirit ishte një kongres kombëtar, i cili u mbajt në Manastir më 14 nëntor deri më 22 nëntor të vitit 1908. Kongresi i Manastirit vlerësohet si kuvendi më i rëndësishëm kombëtar në historinë politike e kulturore të shqiptarëve në fillim të shek. XX.

Ky kongres u mbajt për të shqyrtuar disa çështje të rëndësishme të lëvizjes kombëtare, në radhë të parë u paraqit me rëndësi shqyrtimi i çështjes së alfabetit të gjuhës shqipe. Në të morën pjesë 50 delegatë të shoqërive, klubeve dhe organeve kombëtare të trevave shqiptare.

Kongresi ngriti një komision prej 11 delegatësh ku Gjergj Fishta u zgjodh kryetar komisioni. Pas mjaft diskutimesh u krijua një alfabet i ri, i mbështetur i tëri në alfabetin latin. Në fund komisioni dhe kongresi vendosën që të lejohen si përdorimi i alfabetit të Stambollit, që kishte një përhapje të gjera, ashtu si dhe alfabeti i ri. Brenda pak vitesh alfabeti i ri u bë alfabeti i përbashkët e i vetëm për gjithë shqiptarët, që është alfabeti i sotëm i gjuhës shqipe. Në këtë kongres u morën vendime të rëndësishme për çështjen e alfabetit e për ato politike, që ndihmuan për ngritjen në një shkallë më të lartë të kulturës e të arsimit shqiptar, si edhe për bashkimin e tij të mëtejshëm në luftën për çlirimin kombëtar.

Meta:Nderim dhe mirënjohje Rilindasve të vërtetë të kombit tonë

Presidenti Ilir Meta ka uruar Ditën e Alfabetit të gjuhës shqipe.

“Gëzuar Ditën e Alfabetit të gjuhës sonë të bukur shqipe, të shkruar me gërma gjaku, pas sakrificash të panumërta të patriotëve dhe intelektualëve tanë. Nderim dhe mirënjohje Rilindasve të vërtetë të kombit tonë, që 112 vjet më parë, të mbledhur në Kongresin e Manastirit, njehsuan elementin më të rëndësishëm përbashkues të shqiptarëve, për t’i paraprirë Pavarësisë së Shqipërisë. Në themel të çdo kombi qëndron gjuha, ndaj mbrojtja e saj nga çdo armik apo gjakprishur, i shërben identitetit tonë kombëtar.  I lumtur që në përvjetorin e kësaj ngjarjeje të shënuar kombëtare, të ekspozoheshin në Institucionin e Presidentit, dokumente dhe foto nga punimet e Kongresit të lavdishëm të Manastirit”, u shpreh Meta.

Kushi: Mirënjohje ndaj veprës madhore të delegatëve të Kongresit të Manastirit

Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka shpreh mirënjohje ndaj veprës madhore të delegatëve të Kongresit të Manastirit ku u unifikua alfabeti shqip.

“Këtë 22 Nëntor përkujtojmë me përulje një moment historik tonin, Kongresin e Manastirit, i cili përveç trajtimit të çështjeve me rëndësi të lëvizjes kombëtare, hodhi njëkohësisht bazat e krijimit të alfabetit të përbashkët për të gjithë shqiptarët i mbështetur në alfabetin latin”, shprehet ministrja..

“Mirënjohje përjetë ndaj veprës madhore të delegatëve të këtij kongresi, që jetësuan udhën e pandërprerë të rritjes së vetëdijes kombëtare”, thekson Kushi.

Basha: Dëshmi e fortë për nivelin lartë të pjekurisë kombëtare

Kreu I PD, Lulzim Basha shprehet se 112-vjetori i Kongresit të Manastirit, është dëshmi e fortë për nivelin lartë të pjekurisë kombëtare në një moment të vështirë për ne shqiptarët.

Ai thekson se “frymëzim për ta bërë Shqipërinë pjesë të pandarë të familjes europiane”.

“Kjo ngjarje shënon një pikë kthese në Rilindjen Kombëtare dhe mbetet një dëshmi e fortë për nivelin lartë të pjekurisë kombëtare në një moment të vështirë për ne shqiptarët.  150 delegatë të të gjitha përkatësive fetare, nga të gjitha krahinat shqipfolëse dhe të diasporës vendosën gurin e themelit të unitetit tonë kombëtar me alfabetin latin me 36 shkronja që përdorim sot e kësaj dite.  Kongresi shqyrtoi edhe rrethanat delikate politike të asaj kohe duke miratuar një program kombëtar me 18 pika që ngriti në një nivel të ri aspiratat tona kombëtare.  Sot i kujtojmë me nderim e përulje figurat e patriotëve dhe intelektualëve që organizuan këtë kongres dhe frymëzohemi prej tyre për ta bërë Shqipërinë pjesë të pandarë të familjes europiane”, u shpreh Basha.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.