SHKUP – Grubi: Fatet e popujve në MV janë të ndërlidhura

SHKUP, 22 nëntor /ATSH-AA/ – Maqedonia e Veriut përkujtoi sot solemnisht 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ministër për Sistemin Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive, Artan Grubi, iu drejtua të pranishmëve duke thënë se këtë vit shënohet edhe 80-vjetori i vdekjes së Gjergj Fishtës, kryetari i Komisionit për përgatitjen e Alfabetit Shqip në Kongresin e Manastirit.

Grubi tha se ia kushton Fishtës këtë festë të përvjetorit të Ditës së Alfabetit shqip.

“Fatet e popujve tanë në vendin tonë janë të ndërlidhura, ne ndajmë një rrugë të përbashkët drejt lirisë, drejtësisë, barazisë, por edhe integrimit. Siç thotë Fishta, parimi i vetëvendosjes së etnisë, gjuhës dhe identitetit nuk mund të përcaktohet me marrëveshje dhe traktate, por mbi parimet e ligjit hyjnor. Sot, e kaluara nuk duhet ta mbajë peng të ardhmen. Metodat dhe vlerat e shekullit XIX nuk mund të kthehen në përdorim në shekullin XXI”, tha Grubi.

Urime me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe dërguan presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi dhe kryeministri Zoran Zaev.

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe ose Kongresi i Manastirit shënon takimin e dhjetëra studiuesve shqiptarë, i mbajtur nga 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908 në Manastir, me qëllim krijimin e alfabetit shqip. Në këtë Kongres, delegatët nga Shqipëria dhe nga shoqatat dhe klubet shqiptare në të gjithë botën morën vendimin për të pranuar alfabetin latin, me disa ndryshime të caktuara./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.