Rritja e të prekurve me COVID/ Zv.drejtoresha e QSUT: Gati pavijoni i tretë i spitalit Covid3, në dispozicion edhe kapacitetet e Covid4


TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” përmes një komunikimi të nëndrejtoreshës së QSUT, dr. Arjana Strakosha bën me dije se është gati pavijoni i tretë në spitalin Covid3.

“Sikurse e shihni kemi kapacitete shtretërish të lirë për t’u shërbyer qytetarëve. Në gjendje të gatshme për të pritur të gjitha llojet e stadeve të sëmundjeve, me investimet përkatëse”, tha Strakosha.

Dr. Arjana Strakosha shpjegon se në skenarët e parashikuar, në gjendje për të pritur të sëmurët është dhe Covid 4, pasi të mbushen gjithë kapacitetet e Covid 1, Covid 2 dhe Covid 3.

Dr. Arjana Strakosha ka bërë një apel për qytetarët për të respektuar rregullat e vendosura për të shmangur fluksin në spitale dhe për ta përballuar sa më lehtë fluksin e pacientëve.

“Nga na tjetër për të eliminuar pikërisht dyndjen të sëmurëve drejt spitaleve, u bëj edhe njëherë thirrje qytetarëve të zbatojnë me rigorozitet rregullat. Nuk është sëmundje e lehtë. Nuk është shaka. Duhet ruajtur distancimi, duhet të evitohen festat, duhet të evitohen baret, duhet të evitohen ditëlindjet, pra shumë gjëra që tashmë i dimë. Në këtë mënyrë, ne të gjithë luftojmë sëmundjen, edhe e përballojmë akoma më lehtë, pikërisht edhe fluksin e pacientëve të cilët kanë nevojë për hospitalizim”, apeloi dr. Arjana Strakosha.

Pavijoni i tretë i spitalit Covid 3 ka një kapacitet 50 shtretër, ndërsa totali i shtretërve në spitalin Covid 3 është 150. Në total në 4 spitalet Covid janë 550 shtretër.

Sipas strategjisë së vjeshtë dimrit të hartuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, është parashikuar dhe hapja e disa spitaleve rajonale për trajtimin e pacientëve Covid, nëse do të jetë e nevojshme, duke konsideruar dinamikën e situatës. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.